×
  • Lajme
  • Lajme

    Auditori gjen parregullësi te pagesat në Ministrinë e Drejtësisë

    Reporteri
    30 Maj 2019 | 16:19

    Autor: Blendi Gashi


    Mungesa e evidencave për shpenzimet individuale të qendrave të paraburgimit, pagesa e disa faturave në një urdhërpagesë (UOP) të vetme, mangësi në procesimin e pagesave, menaxhim jo i mirë i kontratës, ndarje jo e duhur e detyrave të punës, janë vetëm disa nga parregullësitë që ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në Ministrinë e Drejtësisë për vitin e kaluar, dikaster qeveritar që drejtohet nga Abelard Tahiri i PDK-së.


    Auditori ka gjetur se në këtë ministri nga 81 pagesa të testuara, ka hasur se si në tri raste me një urdhërpagesë (UOP) ishin paguar deri 12 fatura, shkruan Reporteri.net.

    Kjo ka ndodhur në kuadër të Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), me arsyetimin se kanë shumë punë dhe kjo për ta thjeshtuar procesin e pagesave.

    Auditori ka identifikuar se si në 19 pagesa, me vlerë të përbashkët 321,054€, për të cilat në fillim ishte pranuar fatura, pastaj ishte bërë zotimi i mjeteve dhe urdhërblerja.

    Sipas deklarimeve të zyrtarëve të SHKK-së, kjo ka ndodhur për shkak se gjatë vitit 2018 ishin përballur me vështirësi të alokimit të mjeteve me kohë, dhe me probleme në sistemin e thesarit për të realizuar pagesat.

    Auditori ka gjetur në këtë ministri edhe menaxhim jo të mirë të kontratës.

    Te Kontrata kornizë – Furnizim me mish dhe produkte të mishit, për të cilën procedurat e prokurimit dhe nënshkrimin e kontratës i kishte bërë Agjencia Qendrore e Prokurimit (pasi në bazë të saj furnizohen edhe disa Institucione tjera të Republikës së Kosovës), Auditori thotë se menaxheri i kontratës për furnizimet e MD-së, nuk kishte mbajtur evidenca për furnizimet që ishin kryer nga ana e operatorit ekonomik (OE), dhe si rezultat i kësaj nuk kishte përgatitur raport përfundimtar për realizimin e kontratës.

    Kjo, për shkakun se të mungesës së njohurive të menaxherit të kontratës rreth obligimeve të tij për përgatitjen e raporteve periodike dhe përfundimtare mbi realizimin e kontratës.

    Vërejtje tjetër e dhënë është edhe për ndarjen jo të duhur të detyrave të punës.

    Në bazë të Rregullës dhe Udhëzuesit operativ të prokurimit publik, përcaktohet se një zyrtar nga një departament i cili ka përgatitur specifikimet dhe/ose termat e referencave, ose ka përcaktuar standardet e cilësisë, ose vizatimet e përgatitura, nuk mund të marrë pjesë edhe si anëtar i komisionit të vlerësimit, si dhe një anëtar i komisionit të vlerësimit nuk mund të emërohet si Menaxher i projektit.

    Auditi ka vërejtur se te Kontrata “Furnizim me pajisje për laboratorin e histopatologjisë” me vlerë 23,690€, ishte caktuar menaxher i kontratës i njëjti zyrtar që kishte marrë pjesë në komisionin e vlerësimit të tenderëve. Përveç kësaj, zyrtari që kishte hartuar specifikat teknike kishte marrë pjesë në komisionin për vlerësim të ofertave.

    Shkaku i ndodhjes së kësaj është mungesa e monitorimit adekuat të procesit nga departamenti i prokurimit.

    Gjetje tjetër në këtë ministri është mos ofrimi i garancionit nga operatori ekonomik.

    Sipas kushteve të veçanta të kontratës, të nënshkruar mes OE dhe autoritetit kontraktues, me titull – Instalimi i sistemit sinjalizues me senzorë, në vlerë 14,790€, ishte kërkuar që OE të ofrojë garancion për shërbimet 24 muaj pas përfundimit të instalimit, për të korrigjuar ndonjë nga defektet eventuale të mëvonshme. Po ashtu, tek kontrata me titull Furnizim me pajisje për kontrollin e trazirave, me vlerë 17,777€, ishte kërkuar që OE të ofrojë garancion në lidhje me furnizimet, së paku 12 muaj pas furnizimit.

    “Ne kemi identifikuar se tek asnjëra nga kontratat e lartpërmendura, nga OE nuk është ofruar garancioni, siç ishte paraparë me kontratë. Kjo ka ndodhur për shkak të dështimit të kontrolleve të brendshme dhe menaxhimit jo të mirë të kontratave”, thuhet në raport.

    E gjetur tjetër është vonesa në kryerjen e obligimeve të papaguara

    Sipas Rregullës Financiare Nr.01/2013 Shpenzimi i Parave Publike (neni 37, paragrafi 1), të gjitha faturat që i pranon organizata buxhetore, duhet të paguhen brenda 30 ditëve, nëse nuk është paraparë ndryshe me kontratë.

    Nga lista e obligimeve të shpalosura në Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2018, Auditori ka testuar 18 mostra, dhe nga testimi ka rezultuar se 14 fatura me vlerë të përbashkët 187,054€ nuk ishin paguar brenda afatit të paraparë ligjor.

    “Po ashtu nga testimi 81 pagesave për mallra dhe shërbime, të kryera përgjatë vitit, ne kemi vërejtur se në SHKK, 19 fatura me vlerë të përbashkët prej 308,922€ janë paguar pas afatit të paraparë ligjor prej 30 ditësh. Vonesat kryesisht janë prej 30 deri në 60 ditë përtej afatit të paraparë ligjor. Kjo çështje është përsëritur nga vitet paraprake, dhe ka ndodhur për shkaqe të ndryshme, përfshirë mungesën e mjeteve sidomos tek SHKK-ja e cila në vazhdimësi edhe viteve të kaluara kishte pasur mungesë të mjeteve dhe vështirësi tjera në realizimin e pagesave brenda afatit ligjor. Shkak tjetër që ndikon në vonesën e pagesës së faturave në muajt e parë të vitit është vonesa me alokimin e buxhetit”, thuhet në raport.

    Auditori ka gjetur mungesë të evidencave për shpenzimet individuale të qendrave të paraburgimit.

    Sipas planifikimit të buxhetit, bërë përmes Sistemit për Zhvillimin dhe Menaxhimin e Buxhetit (BDMS), secili nënprogram i Shërbimi Korrektues i Kosovës i ka të ndara mjetet e planifikuara për shpenzime operative, derisa realizimi i shpenzimeve bëhet në nivel të SHKK-së si program buxhetor, e jo ndarazi sipas nënprogrameve.

    Kjo ka ndodhur për shkak se zyrtarët përgjegjës nuk kanë mbajtur evidence për shpenzimet sipas nënprogrameve (qendrave të paraburgimit, qendrave korrektuese etj), siç është bërë planifikimi i buxhetit sipas formularëve të planifikimit të buxhetit (PCF). /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!