×
  • Lajme
  • Lajme

    Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj nuk marrin pjesë në votimin e Osmanit për presidente

    Reporteri
    02 Prill 2021 | 14:29

    Seanca për votimin e presidentit pritet të mbahet pasditen  e sotme.


    Lëvizja Vetëvendosje, tashmë ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme që të thirret seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, për zgjedhjen e presidentit të ri.

    Në garë, përveç Vjosa Osmanit do të kandidojë edhe Nasuf Bejta.

    Ish-partia e Osmanit, LDK-ja, gjatë kësaj jave ka thënë se nuk do të pengojnë zgjedhjen e presidentit të ri.

    Mirëpo, Reporteri.net merr vesh se tre deputetë të LDK-së nuk do të marrin pjesë në votimin e Osmanit për presidente.

    Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj kanë dalë kundër vendimit të Kryesisë së partisë dhe ata pritet të mos marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme që pritet të mbahet sot për votimin e Osmanit për presidente.

    Kundër zgjedhjes së Osmanit janë deklaruar partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, mbështetje për Osmanin kanë shprehur partitë e komuniteteve joserbe.

    Më 22 mars është konstituuar kuvendi dhe po të njëjtën ditë është zgjedhur edhe qeveria e re. Qeveria e Kurtit mori mbështetjen e 67 deputetëve.

    Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave.

    Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

    Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!