×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarata

    Avokati Koci: Jam autorizuar nga familja për tërheqjen e trupit të Faton Hajrizit

    Reporteri
    23 Korrik 2024 | 17:13

    Avokati Arianit Koci ka thënë se është autorizuar nga familja e Faton Hajrizit për tërheqjen e trupit të të ndjerit nga Serbia.

    Kjo është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga vetë avokati Koci, i cili tha se ka takuar nënën e Faton Hajrizit, e cila sipas tij i ka dhënë autorizimin, dhe menjëherë kanë filluar kontaktet me autoritetet në Beograd.

    Koci shtoi se sapo të marrë vesh saktë se ku ndodhet trupi i të ndjerit, do të niset për atje.

    “Unë sot jam takuar më nënën e Fatonit të ndjerë, ma ka dhënë autorizimin, ishte së bashku me vëllain e vogël në zyre tek unë. Kam filluar menjëherë kontaktet me autoritetet në Beograd, të njëjtën kohë jam në koordinim edhe me shefin e Zyrës së Kosovës në Beograd, ambasadorin Jetish Jashari. Deri tash disa punë i kemi kryer, sot kam kontaktuar edhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore atje, ende nuk e kemi identifikuar se ku është trupi i të ndjerit. Na dhanë si opsion Beograd, Shid ose Novi Sad, posa ta marrë vesh këtë informacion unë do të nisem, shpresoj se nesër apo më së largu pasnesër dhe pastaj vazhdojmë tutje me procedura. Të gjitha dokumentet e nevojshme i kam dhe vazhdoj tutje”, ka thënë Koci për Reporteri.net.

    Ditën e djeshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njoftoi se autoritetet serbe kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi, të cilat bashkë me shenjat e gishtërinjve të Hajrizit janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.

    Pas krahasimit, Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin Hajrizit.

    “Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njejtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi”, thuhej në njoftimin e MPJD-së.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!