×
  • Lajme
  • Lajme / Arratisja

    Avokati nuk tregon vendndodhjen e Sekiraqës, thotë se është duke u trajtuar me një spital

    Reporteri
    21 Maj 2024 | 18:40

    Avokati Besnik Berisha ka deklaruar se klienti i tij, Enver Sekiraqa është duke u trajtuar në një spital.

    Në “Dukagjini”, Berisha ka refuzuar të tregojë vendndodhjen e Sekiraqës, por ka shtuar se ai është duke u trajtuar për probleme serioze shëndetësore, të cilat, sipas tij, kanë qenë të evidentuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    “Për shkak të sigurisë së tij personale, siç e dini ka pasur tentim atentatesh, nuk mund t’i zbulojmë këto. Shteti e di se ku është sepse ai nuk ka dalë, as duke fluturuar, ka kaluar nëpër pika kufitare, absolutisht nuk thash se është në Kosovë, është në spital. Për shkak të sigurisë së tij personale, unë nuk jam i gatshëm të zbuloj vendndodhjen”, ka thënë Berisha.

    “Nuk e ka pasur për detyrim që ta njoftojë shtetin që do të lëvizë për trajtim shëndetësor. Është larguar në kohën kur është lënë i lirë të lëvizë si çdo qytetar i Kosovës”, ka thënë ai.

    Ndërkaq, Këshilli Gjyqësor i Kosovës pas një mbledhje të mbajtur të marten më 21 maj, me shumicë të votave ka suspenduar nga puna gjyqtarin e rastit, pas arratisjes së Enver Sekiraqës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Më 18 maji, Policia e Kosovës konfirmoi se Enver Sekiraqa nuk ishte gjetur në shtëpi gjatë së premtes dhe të shtunës, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për kthim në paraburgim.

    Policia ka bërë të ditur se kanë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj Enver Sekiraqës, pasi i njëjti nuk u has në shtëpinë e tij për dy ditë radhazi.

    Kërkimi i tij filloi pas një aktvendimi të pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!