Nexhat Krasniqi, zyrtar i Prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planfikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i njohur në Kosovë me nofkën “Baba i tenderëve”, sot është sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
DASh në vendimin e saj e ka caktuar si “të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh”
“Shtetet e Bashkuara e sanksionojnë Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, si përgjithësisht të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh. Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka keqpërdorur pozitën e tij publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni”, thuhet në vendimin e DASh-it.
Sipas DASH-it, veprimet e sotme të SHBA-së dëshmojnë se Uashingtoni qëndron me ata në Kosovë që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publikë.
“Veprimi i sotëm tregon se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ata në Kosovë që kërkojnë llogari nga zyrtarët publikë të korruptuar. Ky emërtim ripohon përkushtimin e SHBA-së për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre”, thuhet tutje në vendim.
Me këtë vendim, i ndalohet Krasniqit dhe dy fëmijëve të tij hyrja në ShBA.
Por kush është “Baba i tenderëve”?
Nexhat Krasniqi i cili i mbijetoi çdo pushteti në Kosovë, vite më parë ishte dënuar për keqpërdorim të detyrës brenda Ministrisë, por më vonë me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHCK), ishte kthyer në detyrë.
Ai ishte i përfshirë edhe në një rrahje në MMPHI në vitin 2022.
Ndonëse, nga secila parti opozitare ishte përmendur si “njeri i korrupsionit”, kur vinin në pushtet secila e përdorte Krasniqin.
Edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte në opozitë e quante si “kupola e krimit”, por kur erdhën në pushtet, e “lustruan” figurën e tij dhe punojnë me të.
Madje, emri i tij u përmend edhe në Kuvend.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në kohën e të cilit ai ishte larguar nga puna dhe ishte kthyer në qeverisjen aktuale e pati kritikuar Vetëvendosjen se janë më të korruptuar se gjithë të tjerët që kanë qenë përpara dhe sipas tij, Qeveria Kurti punën për korrupsion e ka nisur keq.
Haradinaj gjatë fjalës së tij tha se personi që dikur nga deputetët e Vetëvendosjes, që tash janë në Qeveri, konsiderohej si ‘baba i tenderëve’ e ‘kuopla e krimit’, tash është duke punuar në Ministrinë e Liburn Aliut, shkruan Reporteri.net.
“Qeveria Kurti e ka nisur bukur keq me çështjen e korrupsionit… Xhelal Sveçla bashkë me zonjën Haxhiu dhe zotin Aliu, më kanë marrë në pyetje për personin e quajtur Nexhat Krasniqi, i cili sipas tyre është baba i tenderëve, është kupola e krimit dhe është dikush që nuk bën me punu me të se është i dënum prej gjykatave e ku ta di unë”, pati deklaruar Haradinaj.
Ai ka thënë se një njeri për të cilin ka dhënë disa herë sqarime për të e që me ndërhyrjet e ish-deputetëve të VV-së, është shkarkuar, tash punon tek ministri Aliu.
“Rezultat i kësaj ndërhyrje të deputetëve ka ardhë edhe deri tek shkarkimi i tij me sa marr vesh unë zoti Nexhat Krasniqi me gjase u la, tash nuk është më ai baba i krimit, u bo i mirë, është në punë te ministri Liburn Aliu edhe i kryen funksionet e veta. Një njeri që një Kosovë ka dëgju për të, u kanë temë, disa herë kom dhanë sqarime për të, tash në Qeverinë Kurti ëhstë rahat. Noshta ai u bo i mirë ose këta kanë ndryshu nuk e di cka ka ndodhë në ndërkohë.”, përfundoi Haradinaj.
Ministrja aktuale e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vite më parë në cilësinë e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, kishte shtruar në Kuvend pyetje lidhur me rastin e Nexhat Krasniqit, i cili ndonëse i dënuar me burgim efektiv, ka vazhduar punën e tij si drejtor i prokurimit publik në Ministrinë e Infrastrukturës.
Ajo gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës, kishte pyetur ministrin e atëhershëm, Pal Lekaj, se pse ka lejuar rikthimin në pozitën e drejtorit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës personin i cili është dënuar me vendim nga Gjykata Themelore, është vërtetuar nga Gjykata e Apelit, Supreme e madje edhe nga Gjykata Kushtetuese, shkruan Reporteri.net.
LEXO EDHE:
Nexhat Krasniqi, i njohur si ‘Baba i tenderëve’, shef i prokurorimit në Ministrinë e Infrastrukturës, i dënuar për korrupsion, me vendim të plotfuqishëm nga gjykata, jo rrallë herë është përmendur në media për afera të ndryshme brenda Ministrisë së Infrastrukturës.
Vitin e kaluar, Krasniqi ishte rrahur nga disa persona të maskuar gjatë daljes nga një lokal në Brezovicë. Detaje për gjithë këtë ngjarje, i kishte dhënë kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari.
“Hetimet janë duke u bërë. Personat janë të paidentifikuar për momentin. Po shpresojmë që ditëve në vijim do t’i identifikojmë…..Rasti ka ndodhur të premten para mëngjesit derisa kishte shkuar në Brezovicë për t’a kaluar vikendin. Kur ka dalë prej lokalit e kanë goditë nga prapa të maskuar dy persona. Dhe kanë ikë nga vendi i ngjarjes. Hetuesit e Shtërpcës nesër do të dalin sërish në vendin e ngjarjes. Ai është goditur në kokë me mjet të prehtë”, thotë Jashari.
Gazeta Online Reporteri.net në vazhdimësi ka raportuar për përfshirjen e Krasniqit në dhënien e tenderëve dhe dyshimet për manipulimet.
LEXO EDHE:
Supremja kundër vendimit për kthimin e ‘Babës së Tenderëve’ në MIT