Babai i 18-vjeçares tha se nëna e Krivaqes ia mbyllte dosjet atij, policia deklarohet për këto pretendime

vrasja ne Ferizaj - Reporteri

Babai i M.O 18 vjeçares që u vra në Ferizaj, ka thënë se nëna e Dardan Krivaqa  ka punuar në polici dhe ia ka mbyllur dosjet të birit. Policia e Kosovës u është përgjigjur këtyre akuzave.


Vrasja e 18-vjeçares M. O ka tronditur të gjithë. E reja u vra mizorisht pas dy ditësh dhunë sistematike, fizike e psikike. Në paraburgim po qëndrojnë dy të dyshuarit e këtij krimi makabër, ish-partneri i saj Dardan Krivaqa  dhe shoku i tij Arbër Sejdiu.

Reklamë

Të dyshuarit ishin të njohur për policinë dhe prokurorinë edhe para vrasjes së vajzës, kjo për shkak të dosjeve të trasha që i kishin në polici.

Pak ditë pasi varrosi vajzën, babai i 18-vjeçares tha se Dardan Krivaqës  i punonte nëna në polici dhe sipas tij, e njëjta ia mbyllte dosjet. Kështu u shpreh ai në një intervistë për Top Channel, kur u pyet nëse familja e dinte se partneri i vajzës kishte probleme me ligjin.

“Ne asgjë nuk kemi ditur, në policinë e Ferizajt 136 dosje edhe del prokurori thotë i kam veç 10, ku janë 126, policia i ka mbyll se mama e tij ka qenë në shërbim në polici”, është deklaruar ai.

Por, Policia e Kosovës, konkretisht zëdhënësi i Policisë Rajonale në Ferizaj, Kanun Veseli, në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net”,  ka thënë se nëna e Dardanit nuk ka qenë dhe nuk është punësuar në Polici.

“Sa i përket nënës së të dyshuarit Dardan Krivaqa, ajo as s’ka qenë, as nuk është e punësuar në Policinë e Kosovës”, tha Veseli.

Pas deklaratës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se Dardan Krivaqa ka 136 raste penale, Gjykata Themelore në Ferizaj, doli më një komunikatë për media në të cilën u tha se Krivaqa sipas regjistrit elektronik të lëndëve të Gjykatës, ka të evidentuara gjithsej dhjetë lëndë, prej tyre nëntë të përfunduara, “ndërsa vetëm një është i papërfunduar”.

Arbër Sejdiu, i arrestuar bashkë me Dardan Krivaqën nën dyshimet për vrasjen e vajzës, ka thënë se e ndjera kishte bërtitur dhe para se t’i humbte ndjenjat, kishte vjellur. Deklaratën e tij, ditë më parë, e ka cituar edhe avokati i familjes së 18-vjeçares së ndjerë, Gazmend Rexhepi.

Avokati Rexhepi kishte pohuar se e ka parë deklaratën e Arbër Sejdiut dhe i njëjti ka thënë se vajzën e kanë çuar në spital pasi kur kanë hyrë në dhomë e kanë vërejtuar se ka pasur shumë të vjella.

“Deklaratën e kam pa, ai ka thënë se vajza është rreh në mënyrë sistematike pothuajse gati çdo ditë…Deklarimi i tij është që dy ditët e fundit M.O ka përjetuar dhunë fizike. Arbri ka qenë në dhomën tjetër ku ka nejt M., dmth partneri i saj Dardan Krivaqa, dy ditët e fundit standard i ka shkaktu dhunë fizike dhe psikike. Ka pas shumë piskama, qysh e ka citu ai, nga ana e M.  dhe dhunë fizike. Thotë kur kemi hy në dhomë ka pas vjellje dhe në atë moment e kemi marrë e kemi çu në spital”, ishte shprehur Rexhepi.

Këshilltarja në Ministrinë e Drejtësisë, Nazlie Balaj, pas tragjedisë deklaroi se në rastin e 18-vjeçares kemi të bëjmë me politraumë.

Familja nuk e ka pranuar akoma raportin e autopsisë.