Mefail Bajqinovci, deputet i VV-së, ka komentuar ardhjen në Prishtinë të Miroslav Lajçakut, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, Lajçaku nuk e ka asnjë sukses. Madje, Bajqinovci e ka “zbuluar” arsyen se pse Laçaku, sipas tij, nuk ka asnjë sukses.
“Lajçak po bëhen tri vjet që nuk e ka asnjë sukses në bisedime Kosovë-Serbi, arsyeja është thjeshtë, ishte dhe mbetet i njëanshëm”, ka shkruar ai.
Lajçak sot po qëndron për vizitë në Kosovë dhe tashmë ka nisur takimet në Qeveri.
Vizita është pjesë e përpjekjeve për organizimin e një takimi mes kryenegociatorëve mes shqetësimeve perëndimore për shtimin e tensioneve në veri.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se po angazhohen me partnerët në Kosovë dhe se shpresojnë që çështjet të zgjidhen përmes dialogut.
“Ne po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po u dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje që më në fund këto çështje, t’i zgjidhim aty ku e kanë vendin, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka deklaruar Stano.