×
  • Lajme
  • Lajme / Ndërprerja e seancës

    Bashkëkryesuesja e seancës konstituive: Dehari bëri shumë shkelje në seancën e djeshme, doli nga skenari

    Reporteri
    18 Prill 2025 | 13:04

    Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, e cila në cilësinë e deputetes më të re po e asiston kryesuesin e seancës konstituive, Avni Deharin, është ankuar në deputetin e VV-së.

    Ajo ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive nuk e ka respektuar skenarin e seancës që i ishte paraqitur dje nga sekretaria e Kuvendit.

    Në profilin e saj në “Facebook”, Jashari ka shkruar se Dehari ka bërë shumë parregullsi në drejtimin e seancës.

    “Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari sot doli nga skenari, nga korniza që parashihet për një udhëheqës të kësaj seance. Devijimi nga ky skenar ndodhi që nga pika e parë, ku në vend që deputetët të ftoheshin për votim, ai thirri përfaqësuesit e partive politike për konsultime. Si kryesuese ndihmese e kësaj seance, sot pash shumë parregullsi, që nga fillim e deri tek mbyllja e vrazhdë e saj. Kjo pozitë, ani se e rastësishme për shkak të moshës, duhet të merret me shumë përgjegjësi!”, ka shkruar Jashari.

    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari,  të enjten e ka ndërprerë seancën pa e hedhur në votim raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, pasi ka thënë se në takimin që e ka zhvilluar me përfaqësuesit e partive politike ka parë që qëndrimet e tyre nuk kanë ndryshuar. Ai ka thënë se seanca do të vazhdojë të shtunën, më 19 prill në orën 12:00.

    Ndërprerja e seancës u cilësua si tendencë e partisë së parë si zvarritje në tentim të bërjes së numrave, të cilat po vlerësohet se nuk i kanë.

    Seanca e djeshme ishte vazhdim i asaj të 15 prillit. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!