Deputetët e zgjedhur të Partisë Demokratike të Kosovës kanë hyrë tashmë në sallën ku për pak minuta pritet të vazhdojë seanca konstituive, e cila është ndërprerë qe dy herë, shkruan Reporteri.net.
Para seancës, Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se një përfaqësues i partisë që udhëheq ai është duke marrë pjesë në takimin konsultativ të ftuar nga Avni Dehari i Vetëvendosjes – i cili si deputeti më i vjetër po e udhëheq seancën konstituive që nisi të martën.
Por, Krasniqi tha se PDK-ja nuk ndërron qëndrim lidhur me kërkesën që kabineti qeveritar i udhëhequr nga Albin Kurti të japë dorëheqje, pasi nuk pranon si dorëheqje atë letër që Vetëvendosja ka dorëzuar.
Ai tha se shpreson që raporti për mandatin e deputetëve të hidhet në votim në parlament.
Ai e quajti “bllokadë të panevojshme” atë që po ndodh në Kuvendin e Kosovës.
