×
  • Lajme
  • Lajme

    Bashkërendim mes opozitës e Qeverisë së Kosovës, të gjithë njëzëri kundër referendumit serb

    Reporteri
    14 Janar 2022 | 15:00

    Sot gjatë ditës komuniteti ndërkombëtar tha se me keqardhje ka pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi, shkruan Reporteri.net.

    Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë më 13 janar se votimi në referendumin e një shteti tjetër, në një territor sovran, “nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”. Ai ka thënë se serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK) Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që ai drejton, “e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfardo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës”.

    “Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Memli Krasniqi ka thënë se Qeveria duhet të bashkërendojë veprime me ndërkombëtarët për të ofruar zgjidhje të përshtatshme.

    “Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshem lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e nje shteti fqinj. Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Krasniqi.

    Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit serb në Kosovë këtë të diele, duke thënë se përpjekja e Serbisë në këtë drejtim është sulm mbi integritetin kushtetues të shtetit.

    “Pretendimi i Serbisë që të organizojë referendum kushtetues në territorin e Kosovës është sulm flagrant mbi sovranitetin dhe integritetin kushtetues të Kosovës. Prandaj inkurajojmë dhe jemi në mbështetje të të gjithë atyre që e kundërshtojnë me forcë organizimin e këtij referendumi. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe në territorin e saj nuk mund të organizohen kurrfarë referendumesh të shteteve të tjera, e as referendumi i Serbisë, i cili pastër është përpjekje për ushtrimin e sovranitetit nacional të Serbisë mbi Kosovën”, thuhet në reagimin e AAK-së.

    Reagimi i opozitës vjen vetëm pak pasi vendet e QUINT-it kanë kërkuar të premten nga Qeveria e Kosovës që të lejojë të zhvillohet referendumi i Serbisë në Kosovë, për ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese të këtij shteti. Mirëpo Qeveria e Kosovës ka deklaruar se referendumi mund të zhvillohet vetëm në dy forma: nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, forma këto të cilat Serbia nuk po i pranon.

    Nderkohë, sot Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, për këtë çështje u takuan me ambasadorët e QUINT-it, shkruan Reporteri.net.

    Pas takimit, Kurti, Osmani e Konjufca dolën me deklaratë të përbashkët.

    “Përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e shtetit tonë jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja”, thuhet ndër tjera në deklaratën e tyre.

    Sipas tyre, Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër.

    Pas takimit me ta, Kurti ka paralajmëruar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të shtunën, 15 janar, në orën 14:00.

    Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!