×
  • Lajme
  • Lajme

    Bastisje, arrestime dhe sekuestrimi i 400 mijë eurove – gjithçka që ndodhi në aksionin e djeshëm të Policisë

    Reporteri
    25 Shkurt 2021 | 8:25

    12 të arrestuar dhe 400 mijë euro janë sekuestruar në aksionin e sotëm që ka realizuar Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.


    Operacioni ndodhi në Prishtinë, Istog, Gjilan, Podujevë dhe Lipjan, nën dyshimet për keqpërdorime të fondeve të subvencioneve. Operacionet zgjatën për disa orë.

    Ndërsa, kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi në një konferencë për media bëri të ditur se aksionet do të vazhdojnë.

    Lumezi tha se nga ky aksion janë arrestuar 12 persona dhe është konfiskuar një shumë e madhe parash, kompjuterë, telefona, vetura etj.

    Ai tha se në muajin janar ka filluar grumbullimi i provave dhe informacioneve lidhur me këtë rast për ryshfet në subvencionet bujqësore, ndërsa arrestimi i 12 personave është bërë për keqpërdorim dhe shpërdorim detyre, marrje dhe dhënie ryshfeti.

    Lumezi po ashtu tregoi se prej të arrestuarve, 10 janë zyrtarë dhe dy qytetarë.

    Drejtori i Krimeve Ekonomike dhe Kundër Korrupsionit, Nazim Sahiti ka thënë se në këtë aksion sekuestruar diku afër 400 mijë euro. Ai tha se është bastisur Ministria e Bujqësisë ku në kuadër të saj është Agjencioni i Pavarur për Zhvillim të Bujqësisë si dhe disa zyra që funksionojnë në kuadër të AZHB-së në disa komuna.

    “Sot gjatë ditës nga Drejtoria për Krime dhe Kundër-Korrupsion janë sekuestruar një shumë e madhe e parave, diku afër 400 mijë euro. Saktësisht ende nuk e dimë por sillen aty diku”, ka thënë ai.

    Lidhur me rastin kanë reaguar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili tha se pret një hetim të plotë për të gjithë që janë përfshirë në këtë rast.

    “Pres hetim të plotë, gjithëpërfshirës dhe të shpejtë ndaj kujtdo që është i përfshirë në rastin e subvencioneve bujqësore. Fajtoret duhet të marrin dënimin maksimal. Këta njerëz nuk e meritojnë të jenë në institucione”, ka shkruar Hoti në Facebook.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!