×
  • Lajme
  • Lajme

    BE-ja i bën thirrje Kosovës që të lejojë mbajtjen e referendumit serb

    Reporteri
    13 Janar 2022 | 14:19

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano,  u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të mundësojnë që serbët në Kosovë  të votojnë më 16 janar në referendumin për ndryshime kushtetuese, duke theksuar se të gjithë qytetarët kanë të drejtën demokratike për të votuar në zgjedhje dhe procese të tjera zgjedhore.

    “Me keqardhje konstatojmë se autoritetet e Kosovës nuk lejuan organizimin e votimit për referendumin, tha Stano, duke u kërkuar autoriteteve  të Prishtinës që të zbatojnë “praktikën aktuale të votimit të OSBE-së”, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Stano  për Tanjugun serb ka njoftuar po ashtu se shefi i diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell, ka biseduar mbrëmë në telefon me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e më pas edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti rreth kësaj çështje.

    “Borrell përsëriti qëndrimin e BE-së se çdo serb në Kosovë duhet të ketë mundësinë për të hedhur votën e tij përmes procesit të grumbullimit të votave, të organizuar nga OSBE,” tha Stano.

    Stano u bëri thirrje palëve të gjejnë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht që do t’u mundësonte votuesve që jetojnë në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.

    Rreth bisedës me Kurtin për çështjen e referendumit ka shkruar sot edhe kreu i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, spanjolli Josep Borell.

    Borell ka shkruar se njerëzve duhet t’iu lejohet ushtrimi i të drejtës së tyre për votë, derisa përmend se në të kaluarën ka qenë misioni i OSBE-së ai që është marrë me ndërmjetësimin e grumbullimit të votave.

    “Njerëzit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, ka shkruar ndër të tjera Borrell duke njoftuar për bisedën që ka zhvilluar me kryeministrin Kurti.

    Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka ripërsëritur se serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë nëpërmjet postës apo në Zyrën ndërlidhëse në Prishtinë.

    “Në një telefonatë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, ia përcolla qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë të cilët kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë nëpërmjet postës apo në Zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. Një referendum në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar në asnjë vend demokratik”, ka shkruar Kurti në Twitter.

    Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen  në referendumin: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!