Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në mënyrë indirekte ka lënë të kuptohet se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri, të cilat BE-ja i konsideron të njëanshme, mund të kenë ndikim negativ në mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura tash e një vit.
“Fakti që BE-ja vendosi masa kundër Kosovës vitin e kaluar është pasqyrë e hapave që çuan në përshkallëzim. Tani shohim më shumë hapa të njëanshëm dhe më shumë veprime të pakoordinuara. Ky nuk është në të vërtetë de-përshkallëzimi. Kjo çon në përshkallëzim të mëtejshëm. Këtë duhet ta kuptojnë qartë ata që marrin vendime në Prishtinë”, ka thënë Stano dje në një konferencë për media.
Policia e Kosovës pas një aksioni të zhvilluar të hënën në veri, ka mbyllur disa zyre të Postës së Serbisë, pasi ushtronin funksionin e tyre pa licencë dhe të pa regjistruar në ARBK.
Kosova u kritikua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vendime të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, ka thënë blloku evropian përmes një deklarate.
Në anën tjetër, SHBA-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndërpresë veprimet e mëtutjeshme “të njënashme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për t’i zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Zhgënjim e kritika për moskoordinim, Kosova qortohet nga aleatët për aksionin në veri
Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë në një reagim të tij në Facebook, mbrojti aksionin policor duke theksuar se “Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës”.
Bislimi tha se fakti që në një marrëveshje paraprake ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte dakorduar të diskutohet për çështjen e Postës, “kjo nuk nënkupton që ndërkohë Posta e Serbisë të vijojë operimin ilegal në vend”.
“Asgjë nuk nënkupton të drejta, apo tolerim të entiteve ilegale në vend. Kjo assesi nuk mund të jetë e pranueshme dhe e lejueshme për shtetin tonë, e parimisht nuk do të duhej të ishte e pranueshme as nga ana e Bashkimit Evropian”, shkroi Bislimi.
Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian prej verës së vitit 2023, të cilat blloku i vendosi si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë, nisën detyrën e tyre në komunat në veri.
Shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të këtyre masave, siç edhe ka rekomanduar Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në raportin që u dorëzoi vendeve anëtare më 18 qershor.
E tashmë kur është bërë mbi një muaj nga dorëzimi i këtij raporti, ende nuk ka ndonjë vendim nga blloku evropian për masat ndaj Kosovës. /Reporteri.net/