×
  • Lajme
  • Lajme / Mbyllja e degëve të postës serbe

    Zhgënjim e kritika për moskoordinim, Kosova qortohet nga aleatët për aksionin në veri

    Reporteri
    06 Gusht 2024 | 7:52

    Zhgënjim ndaj Qeverisë së Kosovës ka shprehur të hënën SHBA-ja në një reagim lidhur me mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës. 

    SHBA-ja i ka quajtur këto vendime si të njëanshme dhe të pakoordinuara.

    “Qeveria e SHBA-së është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër filialeve të postës serbe në veri të Kosovës. Veprimet e pakoordinuara të Kosovës vënë qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”, u tha në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

    SHBA-ja tutje  i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndërpresë veprimet e mëtutjeshme “të njënashme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për t’i zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

    SHBA: Qeveria e Kosovës po rrezikon qytetarët e saj dhe ushtarët e KFOR-it me veprimet e pakordinuara në veri

    Edhe Bashkimi Evropian e ka quajtur të njëanshëm dhe të pakoordinuar këtë vendim. Sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    “Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, ka thënë blloku evropian përmes një deklarate.

    BE-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut.

    Blloku ka rikujtuar që në kuadër të marrëveshjeve të arritura për telekomunikacionin, më 2013 dhe 2015, dy palët janë pajtuar që për shërbimet postale të diskutohet “në një fazë të mëvonshme”, dhe kështu, sipas BE-së, është kuptuar që kjo çështje mund të adresohet vetëm përmes dialogut.

    Policia e Kosovës ka thënë të hënën se ka mbyllur tri degë të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok.

    Zyrtarë të saj kanë thënë se kanë nisur aksionin policor pasi kanë marrë informacione nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK). /Reporteri.net/

    BE: I njëanshëm dhe i pakoordinuar vendimi për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!