×
  • Lajme
  • Lajme

    BE ndanë 11.8 milionë euro për Kosovën

    Reporteri
    15 Janar 2021 | 15:16

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomash Sunjog, nënshkroi sot tri projekte me vlerë prej 11.8 milionë euro që sigurojnë mbrojtje sociale për grupet e cenueshme në Kosovë gjatë pandemisë së koronavirusit.


    Projektet do të sigurojnë mbështetje emergjente, mbrojtje sociale dhe rimëkëmbje të shpejtë socio-ekonomike për grupet më të cenueshme, veçanërisht për fëmijët dhe gratë. Këtu përfshihet një skemë e ndihmës emergjente për adresimin e nevojave bazë të 8,000 familjeve që jetojnë në varfëri, duke përfshirë familje që u përkasin grupeve të pakicave ose që nuk janë të regjistruara zyrtarisht.

    Synimi është të përmirësohet qëndrueshmëria e politikave sociale që adresojnë pabarazitë dhe nxisin kohezionin social në planin afatmesëm dhe afatgjatë.

    “BE-ja për mbrojtjen sociale, është financiarisht më i madhi i llojit të tij në fushën e mbrojtjes sociale në Kosovë duke siguruar 11.8 milionë euro në total. Programi synon të ndihmojë një popullsi prej 200,000 banorësh, dhe përfshin një skemë mbështetje emergjente për të adresuar nevojat themelore të 8,000 familjeve që jetojnë në varfëri, përfshirë ato që u përkasin grupeve të pakicave ose që nuk janë të regjistruara zyrtarisht”, ka thënë Sunjog.

    Programi do të zbatohet në koordinim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Qendrat Komunale për Punë Sociale, si institucionet kryesore përgjegjëse për politikat sociale dhe ndarjen e skemave dhe shërbimeve të ndihmës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!