“Edhe te ne janë përpjekë me na thanë, këqyr boma djalin noter, këqyre na kanë ardhë me dosje në zyre, ne i kemi thënë largohuni sepse nuk është mënyra se si funksionojmë kështu”. Kështu deklaroi dje ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu në panelin e Lëvizjes Vetëvendosje për drejtësi, paraqiti si Qeveria Kurti sipas saj nuk bën punësime nepotiste, por vetëm në bazë të meritave.
Por, ndaj deklaratës së Haxhiut, ka reaguar Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili thotë se është skandaloze se si ministrja ‘nuk e kupton detyrimin e saj ligjir për të raportuar në prokurori raste të shkeljeve të tilla’, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:
Në panelin për drejtësi të LVV-së, Ministrja e Drejtësisë paska deklaruar:
“Edhe te ne janë përpjekur të na thonë: ‘Shiko, ma bëj djalin noter’. Kanë ardhur me dosje në zyrë, dhe ne u kemi thënë të largohen sepse nuk funksionojmë kështu.”
Skandaloze! Ministrja Haxhiu nuk i ka raportuar këto raste në prokurori, duke treguar qartë se nuk e kupton detyrimin e saj ligjor për të adresuar shkelje të tilla.
Kur ajo nuk arrin të kuptojë një detyrim kaq elementar, si mund të presim që të udhëheqë suksesshëm reformat në sistemin e drejtësisë?