×
  • Lajme
  • Lajme

    Bie dukshëm blerja e veturave nga kosovarët

    Reporteri
    06 Maj 2020 | 14:02

    Kosova sikurse e gjithë bota po përballet me pandeminë, kjo si pasojë e përhapjes së coronavirusi.


    Përveç vdekjeve të shumta që u shkaktuan në gjithë vendet, situata e krijuar ka prekur thuajse çdo biznes në secilin cep të botës.

    E që nga 14 marsi, Qeveria në Kosovë, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINS), në mesin e shumë vendimeve, morën vendim edhe për mbylljen e kufijve.

    Prej asaj kohe Koronavirusi përveç sfidave në sistemin shëndetësor, e goditi biznesin e vendit tonë, sidomos blerjen e veturave jashtë Kosovës.

    Importi i veturave të përdorura, por edhe atyre të reja për në Kosovë, ka rënë dukshëm në 4 muajt e fundit e me theks në muajin mars e prill.

    Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci ka treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se gjatë muajit prill të këtij viti janë importuar vetëm 344 vetura të përdoruara.

    Derisa në periudhën e njëjtë kohore të vitit 2019, ishin importuar 1 mijë e 660 automjete.

    “Importi i veturave të përdorura për këtë 4 mujor ka pësuar rënie. Nëse në vitin 2019-të kishim 5590 copë automjete, tani kemi 4313 copë, ku vetëm në prill kemi pasur import shumë të ulët, pra vetëm 344 automjete që në krahasim me vitin paraprak është ulje e konsiderueshme sepse prilli i 2019 ishte 1660 cope”, ka treguar Stavileci.

    Ky zvogëlim i blerjeve nga shtetet e jashtme ka edhe pasojat për Kosovës, pasi janë 3.4 milionë euro më pak taksa të paguara për shtetin për katër muajt e parë të këtij viti, prej edhe kur u shfaq Koronavirusi.

    “Edhe taksat kanë rënë pasi gjatë katër mujorit të vitit të kaluar kemi pasur 16.2 milionë, e këtë vit kemi 12.8 milionë”, tregon Stavileci.

    Kosova ka shënuar rënie edhe në blerjen e veturave të reja.

    Derisa në marsin e 2019-tës ishin importuar 342 vetura, marsin e këtij viti, janë importuar 120 automjete.

    Por, rënia e importit të veturave ka qenë edhe më keq në muajin prill të këtij viti.

    Në 2019-tën ishin importuar 338 vetura, kurse në prillin e këtij viti, janë importuar hiç më shumë se 93 vetura.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

    “Siç shihet edhe nga tabela ka ulje të numri të importit. Nëse në mars të 2019-ës kemi pasur 342 automjete marsi i 2020-ës ka rezultuar me 120 automjete të importuara. Kurse prilli ka qenë edhe me më pak automjete të importuara, pasi në vitin e kaluar kishim 338 të importuara, derisa tani kemi 93 të importuara, pra ka një rënie të theksuar në numrin e veturave të importuara që si rezultat ka edhe me pak taksa. Nëse në katër muajt e parë të vitit 2019-të janë grumbulluar 3.4 milionë nga taksat në automjete gjatë këtij viti kemi 2.4 milionë”, ka bërë të ditur Stavileci.

    Kujtojmë që rastet e para të të infektuarve me Koronavirus në Kosovë u shfaqen më 13 mars. Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë me Koronavirus janë infektuar gjithsej 856 persona, derisa numri i të shëruarve ka arritur në 490, ndërsa janë 26 persona që kanë vdekur si pasojë e koronavirusit, shkruan FaktePlus.

    E në mesin e të vdekurve, është edhe një oficer doganor i Doganës së Kosovës.

    Doganieri 53- vjeçar ishte nga Prizren dhe pas infektimit kishte pasur komplikime shëndetësore, ku edhe përkundër përkujdesjes ndërroi jetë në Klinikën Infektive.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!