×
  • Lajme
  • Lajme / Audi-incizimi

    Biseda mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit, Haxhiu: Përpjekje e opozitës për ta tërhequr vëmendjen nga dështimi për rrëzimin e qeverisë

    Reporteri
    05 Qershor 2024 | 12:31

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot para gazetarëve i ka dalë në mbrojtje shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës pas publikimit të audio-incizimit me terroristin serb, Milan Radoiçiq, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Lidhur me deklarimet e opozitës për hetim ndaj Mimoza Kusari-Lilës, Ministrja e Drejtësisë tha se ata po mundohen të tërheqin vëmendjen nga dështimi që patën për rrëzimin e qeverisë apo shkuarjen në zgjedhje.

    Sipas saj, opozita asnjëherë s’ka kërkuar nga Serbia që ta dorëzojnë Radoiçiqin, e madje siç thotë ajo as nga ndërkombëtarët për t’i bërë presion Serbisë që t’i dorëzojë të gjithë terroristët.

    “Një opozitë që një terrorist qe ka bërë sulm terrorist në Republikën e Kosovës nuk po kërkojnë asnjëherë nga Serbia që ta dorëzojnë atë, nuk kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtar t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzoj terroristet, jo vetëm Radojiçiqin. Tash paskan kërkuar hetim ndaj Mimoza Kusarit, unë mendoj që kjo është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga një dështim spektakolar që e patën, për rrëzim të qeverisë apo shkuarje në zgjedhje. Opozita duhet të jetë e bashkuar por ju e keni parë, njëra kërkon dorëheqje të qeverisë e tjetra shpërndarje të Kuvendit”, u shpreh Haxhiu.

    Për bisedën mes Kusarit dhe Radoiçiqit ka folur ditën e djeshme edhe kryeministri Albin Kurti.

    Ai tha se kjo është një “situatë e montuar”.

    Kurti tha se me këtë incizim po tentohet të dramatizohet situata, prej një sekuence që siç tha ai se di as nga është marrë e si është montuar.

    “Unë vet nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar me Radoiçiqin dhe e kanë shumë të qartë pse dikush ikë sot e dikur ishte në kryeministri. Ajo është një situatë e montuar dhe Radoiçiq këtë muaj i bën 9 muaj që ndodhet i lirë në Serbi dhe trysnia duhet të ishte atje që ai të dorëzohet. Po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa biseda prej një sekuence që nuk e di kah është marrë dhe si është marrë e si është montuar”, tha Kurti.

    Gazeta Online Reporteri.net gjatë ditës së djeshme ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga vetë shefja e grupit parlamentar të VV-së, por e njëjta nuk i është përgjigjur thirrjes së mediumit.

    Në audio-incizimin e së hënës që i publikoi Nacionale, Simiq e telefonon Kusari-Lilën dhe i tregon se është bashkë me Radoiçiqin, të cilit ia kalon telefonin. Sekuenca e bisedës e publikuar nga Nacionale, besohet se është zhvilluar në qershor të vitit 2022.

    Biseda ishte zhvilluar në kohën kur Milan Radoiçiqi ishte përfshirë në Listën e Zezë./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!