×
  • Lajme
  • Lajme

    Bisedojnë Merkel dhe Kurti, pajtohen për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

    Reporteri
    23 Mars 2020 | 23:06

    Në një deklaratë e përbashkët të zëdhënësit të Qeverisë Federale të Gjermanis, Steffen Seibert dhe atij të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, janë bërë të ditura detajet e bisedës telefonike që patën sot gjatë ditës Kancelarja Angela Merkel dhe Kryeministri Albin Kurti.


    Në deklaratën e përbashkët thuhet se “gjatë bisedës ata shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e ngushta bilaterale, përafrimin e reformave të Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për situatën në rajon.

    “Kancelarja Merkel i ofroi kryeministrit Kurti mbështetje në luftën kundër korrupsionit dhe programit të gjerë e ambicioz për reforma në vend. Në këtë kontekst, Republika Federale ofroi këshilla specifike nga ekspertë gjermanë”, thuhet në deklatatë, përcjell Telegrafi.

    Gjithashtu thuhet se u diskutua edhe për luftën ndaj virusit Korona. Kancelarja premtoi se do ta shqyrtojë mbështetjen ndaj Kosovës për trajtimin e kësaj krize.

    “Gjithashtu, u diskutua edhe mbi dialogun e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e po ashtu edhe për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina të vendosur në vitin 2018, nga qeveria e atëhershme. Kancelarja përshëndeti propozim-vendimin e kryeministrit kosovar për heqjen e plotë të tarifës pas datës 1 prill, kjo pas heqjes së tarifës për lëndën e parë në javën që shkoi. Ajo gjithashtu mbështeti një dialog, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili duhet të synojë heqjen e të gjitha pengesave tregtare jo-tarifore midis Serbisë dhe Kosovës. Të dy besojnë se nuk duhet të ketë pengesa në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

    “Kancelarja dhe Kryeministri i Kosovës mbështesin rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i këtij procesi mbetet arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese që siguron normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe e cila i shërben popujve të të dy shteteve”, thuhet në njoftim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!