Presidenti francez, Emanuel Macron ka ftuar sot në një takim të paplanifikuar, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kështu raporton gazeta serbe Blic, e cila shkruan se përkundër takimit të djeshëm, Macron dëshiron që me dy presidentët të takohet edhe sot, transmeton Reporteri.net.
Vuçiq dhe Thaçi janë në Paris duke marrë pjesë në Forumin e Paqes. Vuçiq raportohet se ka lënë Panelin për Multilateralizëm brenda Forumit për të biseduar me presidentin francez.
Kujtojmë se Macron mbrëmë është takuar me të dy presidentët e të dyja vendeve. Presidenti Thaçi pas takimit u shpreh se Kosova është e vullnetshme dhe e gatshme për marrëveshje paqësore me Serbinë.
Macron vazhdimisht ka deklaruar qëllimin e tij për të përfshirë Francën më drejtpërdrejt në dialogun e bllokuar Beograd-Prishtinë. /Reporteri.net