×
  • Lajme
  • Botë

    Antarktiku buzë katastrofës klimatike

    Reporteri
    29 Qershor 2021 | 15:29

    Djegia e mbetjeve të lëndëve djegëse kërcënon një nga zonat e fundit të Tokës që ende nuk është prekur nga industritë nxjerrëse


    Kur “Traktati i Antarktikut” hyri në fuqi gjashtë dekada më parë, nënshkruesit e tij nuk e kishin as më të voglën ide se sa i suksesshëm do të ishte.

    Liderët botërorë asokohe u dakorduan që ta linin larg luftërave, armëve dhe mbetjeve bërthamore këtë kontinent të pabanuar që ngërthen dyfishin e territorit të Australisë. U pajtuan po ashtu që rajoni jugor polar, i përbërë 98 për qind nga akuj dhe pa popullsi autoktone, të mos i përkasë asnjë shteti por krejt e kundërta, t’i shërbejë bashkëpunimit shkencor.

    dekadat pasuese, sipas raportimit të Deutsche Ëelles, u vendosën rregulla shtesë kundër kompanive minerale dhe atyre të shpimit për naftë, duke e kthyer Antarktikun në rezervatin më të madh natyror në botë.

    Porse tani ndryshimet klimatike po e minojnë këtë histori suksesi.

    Rreziku nga temperaturat e larta

    Rreth 90 për qind e burimit të ujit të freskët sipërfaqësor të botës ndodhet në “Mburojën e Akullit të Antarktikut” dhe derisa planeti “vlon” nga rritja e temperaturave globale, akullnajat, zhbërja e së cilave do të përmbyste qytetet bregdetare nga Neë Yorku deri në Xhakartë, po shkrihen hovshëm dhe po bëhen përherë e më të paqëndrueshme, ka shkruar Deutsche Ëelle.

    Liderët botërorë janë zotuar që ta kufizojnë ngrohjen globale në më pak se 2 gradë celsius gjatë këtij shekull, por politikat e tyre faktikisht do ta ngrohin botën për gati 3 gradë celsius, ka treguar studimi i grupit kërkimor “Climate Action Tracker”, me seli në Gjermani.

    Studim i botuar në revistën shkencore “Nature” gjatë këtij maji ka zbuluar se një rritje globale e temperaturave prej 3 gradësh celsius do të shpinte drejt një “kapërcimi të menjëhershëm” në ritmin e përhumbjes së akullit në Antarktik. Kjo gjë, nga ana tjetër, do të shkaktonte rritje të shpejtë dhe të pandalshme të nivelit të detit, ka raportuar agjencia gjermane.

    Një studim i dytë, i botuar në revistën “Science Advances” në qershor, ka treguar se një masë e madhe akulli që mbështetet tek akullnaja Pine Island (me madhësi prej 175.000 kilometrash katrorë) po shndërrohet në ujë përherë e më shpejt. Kjo akullnajë, sipas raportimit të DË-së, është përgjegjëse për më shumë se një të katërtën e kontributit të Antarktikut në rritjen globale të nivelit të detit dhe do të shkrijë më shpejt po qe se bie në kontakt me ujëra të ngrohta.

    Ruajtja e paqes

    “Traktati i Antarktikut” u nënshkrua më 1959 nga 12 shtete, shkencëtarët e të cilëve kanë qenë aktivë në rajon. Dy vjet pas ai hyri në fuqi. Palët u dakorduan që Antarktiku të ishte “një rezervat natyror, dedikuar paqes dhe shkencës”.

    “Për superfuqitë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ish-Bashkimin Sovjetik të asaj kohe – të cilat do të vijonin konfliktet e armatosura mes tyre pa pjesëmarrje direkte në to në mbarë Azinë, Afrikën dhe Amerikën e Jugut gjatë tri dekadave vijuese – Antarktiku u bë një vend bashkëpunimi që ofroi një ‘armëpushim të rrallë’ pas tensioneve bërthamore të Luftës së Ftohtë”, ka shkruar DË-ja.

    “Në rrafshe të tjera diplomatike përfaqësuesit e këtyre vendeve do të rrihnin gjoksin dhe do të bërtisnin”, ka thënë Sridhar Anandakrishnan, glaciolog në Universitetin Shtetëror të Pennit në SHBA. Por në takimet e Traktatit të Antarktikut “ata mund të flisnin zyrtarisht dhe hapur”, ka shtuar ai për Deutsche Ëelle.

    Miniera, shpime dhe peshkim

    Rajonet polare të Tokës po ngrohen më shpejt sesa pjesa tjetër e planetit. Por për dallim prej Polit të Veriut, i cili është shndërruar në fokusin e tensioneve gjeopolitike pasi shkrirja e akullit zbulon burime të pasura, Poli i Jugut ka pak minerale ose lëndë djegëse të njohura për shfrytëzim, pos disa rezervave të qymyrit dhe naftës. Kjo e ka ndihmuar atë që të mbrohet nga vëmendja e industrive nxjerrëse.

    “Antarktiku është ende mjaft i madh dhe i ngjashëm me zonat gjeologjike aty pranë, duke pasur mundësinë për më shumë burime. Bashkë me peizazhin aspak mikpritës – me akull të trashë dhe mot të ashpër, që e bën të kushtueshme çdo tentativë nxjerrjeje e shpimi, – Traktati e ka mbajtur Antarktikun të lirë nga çdo gjë tjetër, përveç eksplorimit shkencor. Ndalimi është i pacaktuar në kohë dhe data më e afërt e rishikimit të vendimit është viti 2048”, ka shkruar agjencia gjermane.

    Por panorama e ujërave rreth saj nuk është kaq pozitive.

    Ujëra të pambrojtura dhe turizmi

    “Ndryshimi i klimës po e transformon në mënyrë të ndjeshme pamjen në Antarktik”, thotë Laura Meller, ekologe dhe eksperte polare në “Greenpeace Nordic”, një organizatë kjo që bën fushatë për mbrojtjen e rajonit nga minierat dhe shpimet.

    Por pavarësisht të gjithave, Antarktiku pret rreth 70.000 turistë çdo vit, kryesisht në verë. Shifra mund të duket e ulët në krahasim me madhësinë e kontinentit, por ata që e vizitojnë atë shkojnë kryesisht në të njëjtat vende, gjë kjo që e përqendron ndikimin e tyre.

    Porse mbeturinat në Antarktik nuk zhduken: Rajoni është aq i ftohtë dhe i thatë sa nuk ka gjasa që mbeturinat të shpërbëhen ose të zhvendosen, derisa një akullnajë të shkrihet përfundimisht dhe t’i çojë ato në oqeane, ka shkruar DË-ja.

    “Shkencëtarët tashmë janë duke menduar për të gjetur një mënyrë ndryshe se si t’i trajtojnë mbeturinat”, thotë glaciologu Anandakrishnan. “Është mirë që të gjithë të pyetemi: A dua ta hedh vërtet këtu këtë paketim ëmbëlsirash që pas 10 vjetësh të mund të mbys një luan deti?”.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!