Një autobus shkolle është përplasur me një turmë njerëzish, duke lënë të vdekur 11 persona, pesë prej tyre nxënës, në krahinën jugore kineze Shandong, transmeton BBC-ja.
Shumë persona të tjerë janë lënduar, përfshirë njërin prej tyre që është në gjendje të rëndë shëndetësore. Autobusi duket se është përplasur në turmën e nxënësve dhe prindërve derisa po prisnin para portave të shkollës në qytetin Tai’an.
Ngasësi “ka humbur kontrollin” e mjetit transportues, raportojnë mediat kineze. Shoferi është arrestuar nga policia, e cila po heton shkakun e vërtetë të aksidentit.
“Deri tani, 11 persona kanë vdekur (përfshirë gjashtë prindër dhe pesë nxënës)”, kanë raportuar mediat kineze pas lajmit për përplasjen e autobusit në turmën e prindërve dhe nxënësve. Dymbëdhjetë persona të tjerë janë në gjendje stabile.
Aksidentet vdekjeprurëse në trafik janë të shpeshta në Kinë.
Në korrik, policia njoftoi se një makinë u përplas me një turmë kalimtarësh në trotuar në qytetin Chnagsha, duke lënë tetë persona të vdekur dhe lënduar shumë të tjerë. /Reporteri.net/