×
  • Lajme
  • Botë / Analizë

    CNN: Pse ShBA po dërgon aeroplanë furnizues me karburant në Lindjen e Mesme?

    Reporteri
    18 Qershor 2025 | 10:42

    Mbi 30 aeroplanë amerikanë furnizues me karburant janë dërguar në Lindjen e Mesme ditët e fundit, sipas dy zyrtarëve amerikanë.

    Nëse presidenti Donald Trump jep urdhër që SHBA të përfshihet në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, këta avionë furnizues mund të përdoren për të mbështetur misionet e avionëve luftarakë izraelitë mbi Iran, duke u ofruar atyre karburant gjatë fluturimit, thuhet në analizën e CNN.

    Pa këtë mbështetje, avionët izraelitë kanë një kohë të kufizuar për të qëndruar mbi hapësirën ajrore iraniane në kërkim të objektivave, përpara se të detyrohen të kthehen në Izrael për t’u furnizuar me karburant. Edhe pse Forca Ajrore Izraelite ka disa avionë furnizues, ata nuk mjaftojnë për të përkrahur numrin e madh të avionëve që Izraeli ka përdorur, që sipas ushtrisë izraelite arritën deri në 200 avionë në sulmet e para.

    Më shumë kohë ajrore mbi Iran mund të jetë veçanërisht e rëndësishme nëse avionët izraelitë kërkojnë të godasin hedhës raketash balistike të lëvizshme, të cilat mund të qëllojnë, të fshihen, të rimbushen dhe të rishfaqen kur në qiell nuk ka avionë izraelitë.

    Avionët furnizues gjithashtu mund të mbështesin bombarduesit amerikanë B-2, nëse Trump jep urdhër për të goditur objektivat bërthamore iraniane. Në konfliktet e mëparshme, B-2 janë nisur nga baza e tyre e vetme në Missouri dhe kanë nevojë për furnizim ajror për të përballuar udhëtimin vajtje-ardhje.

    Këta avionë furnizues nuk mbështesin vetëm B-2 dhe B-52, por edhe avionët e tjerë ushtarakë amerikanë të vendosur në bazat në rajon apo në aeroplanmbajtëset në Oqeanin Indian, nëse urdhërohen të hyjnë në luftë.

    /CNN/Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!