×
  • Lajme
  • Botë

    Gjyqtarët në ShBA mbështesin ligjin që mund të ndalojë TikTok-un

    Reporteri
    06 Dhjetor 2024 | 23:22

    TikTok-u është edhe një hap më afër ndalimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Kjo pasi një panel gjyqtarësh federalë të premten mbështetën një ligj të ri, që mund të çojë në ndalimin e aplikacionit për video i cili ka pronësi kineze.

    Tre gjyqtarët, në Gjykatën e Apelit të ShBA-së për Qarkun e Distriktit të Kolumbisë, refuzuan peticionin e TikTok për të rrëzuar ligjin, raporton The New York Times.

    Vendimi mund të jetë një goditje vdekjeprurëse për aplikacionin në një nga tregjet e tij më të mëdha.

    Më shumë se 170 milionë amerikanë përdorin TikTok-un për të argëtuar dhe informuar veten, duke e kthyer atë në një fenomen kulturor.

    Humbja e afërt e aplikacionit në Shtetet e Bashkuara kishte ngjallur shqetësim nga avokatët e fjalës së lirë dhe nga krijuesit, të ardhurat e të cilëve varen nga TikTok-u.

    Vendimi ngre gjithashtu pyetje të reja për presidentin e sapozgjedhur Donald Trump, i cili ka sinjalizuar vazhdimisht mbështetjen e tij për aplikacionin, por që nuk ka një rrugë të qartë për ta shpëtuar atë sipas ligjit të ri, i cili është planifikuar të hyjë në fuqi ditë para inaugurimit të tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!