×
  • Lajme
  • Botë

    Hiqet statuja që shkaktoi trazira të dhunshme në SHBA

    Reporteri
    10 Korrik 2021 | 18:04

    Statuja e një gjenerali të Konfederatës Amerikane, që ishte në qendër të protestave të dhunshme në qytetin Sharllotsvill të SHBA-së, u hoq të shtunën.


    Statuja e gjeneralit Robert E. Lee dhe një tjetër e gjeneralit Thomas “Stonewall” Jackson do të vendosen në depo.

    Planet për të hequr statujën e Leesë kanë nxitur një tubim të nacionalistëve të bardhë në gusht të vitit 2017.

    Një protestuese kundër racizmit, Heather Heyer, është vrarë atëbotë nga një neo-nazist.

    Vrasësi i saj është dënuar më vonë me burgim të përjetshëm.

    Një protestuese dhe një zyrtar policor shikojnë njëri-tjetrin përgjatë protestave në Nju Orlliens.

    Përkujtimet për Konfederatën pro skllavërisë – e cila ka përfshirë shtetet jugore që janë rebeluar kundër Qeverisë federale gjatë Luftës Civile në SHBA – kanë shkaktuar për kohë të gjatë polemika.

    Qindra statuja të Leesë, Jacksonit dhe figurave të tjera të famshme të Konfederatës ekzistojnë nëpër vende të ndryshme të SHBA-së.

    Disa i shohin ato si shënjuese të historisë amerikane dhe kulturës jugore.

    Por, për të tjerët, ato shërbejnë si një kujtesë fyese e skllavërisë dhe shtypjes racore në SHBA.

    Marshimi “Bashkoni të Djathtën”, i mbajtur në Sharllotsvill të shtetit Virxhinia, ishte një nga tubimet më të mëdha të tilla dhe tërhoqi qindra neo-nazistë dhe nacionalistë të bardhë.

    Dhjetëra njerëz u plagosën në dhunën që shpërtheu midis marshuesve dhe kundër-protestuesve.

    Sharllotsvill vazhdoi të bënte presion për heqjen e statujës së Leesë edhe pas protestave, por u parandalua të veprojë me akte ligjore dhe ndryshime në ligj.

    Pastaj në prill, gjykata më e lartë e Virxhinias mori vendim që statuja mund të hiqet. /REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!