×
  • Lajme
  • Botë

    Irani thotë se Bahrejni sakrifikoi palestinezët për Trumpin

    Reporteri
    12 Shtator 2020 | 11:30

    Irani ka dënuar sot vendimin e Bahrejnit për të vendosur marrëdhënie të plota diplomatike me Izraelin.


    Shtëpia e Bardhë njoftoi për marrëveshjen më 11 shtator, vetëm katër javë pasi Emiratet e Bashkuara Arabe arritën marrëveshje të ngjashme me Izraelin. Të tri shtetet planifikojnë që të marrin pjesë në një ceremoni, që do të mbahet në Uashington javën e ardhshme.

    “Ishte një vendim i ulët dhe i turpshëm që do të hyjë në histori si akt skandaloz”, tha Ministria e Jashtme iraniane përmes një njoftimi për media.

    Kjo ministri akuzoi Bahrejnin se ka sakrifikuar palestinezët për hir të fushatës për rizgjedhjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

    “Populli palestinez dhe bota islamike asnjëherë nuk do të pranojnë normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin”, tha Ministria e Jashtme e Iranit.

    Muajin e kaluar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli arritën marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve dhe atëbotë u përfol se të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe Bahrejni.

    Presidenti Trump ka ndihmuar në arritjen e të dyja marrëveshjeve, si pjesë e presionit diplomatik për të integruar plotësisht shtetin hebre në Lindjen e Mesme.

    Bahrejni është pajtuar që ta formalizojë marrëveshjen me Izraelin në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator, ku Emiratet e Bashkuara Arabe po ashtu do ta nënshkruajnë marrëveshjen për normalizim me Izraelin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!