×
  • Lajme
  • Botë

    Kryeministri britanik: Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh në më shumë se dy dekada

    Reporteri
    02 Dhjetor 2021 | 17:11

    Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Evropë.

    Johnson ka deklaruar Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë në më shumë se dy dekada.

    “Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Evropë. Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur sukseset e arritura përmes paqes dhe dialogut – nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndasitë e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Sir Stuart Peach do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon kyç”, është shprehur kryeministri britanik.

    Ndryshe, kryeministri Johnson ka emëruar Sir Stuart Peach të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit.

    Në njoftimin për media thuhet se si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, Sir Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon, dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal.

    “Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke favorizuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidat e tjera të përbashkëta të sigurisë, si dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, si krimet e luftës dhe personat e zhdukur.

    Lidhur me këtë të fundit, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë gjithashtu të udhëheqë punën për avancimin e barazisë gjinore dhe zbatimin e Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.

    Në Bosnje dhe Hercegovinë, puna e Sir Stuart Peach do të mbështesë atë të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të Britanisë.

    Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftim.

    Sir Stuart Peach do ta marrë detyrën e re pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, një rol të cilin e mban prej vitit 2018. /Telegrafi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!