×
  • Lajme
  • Botë

    Marseja në alarm për shkak të një zjarri të madh, mbyllet aeroporti, evakuohen qytetarët

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 23:30

    Marseja është vendosur në alarm të kuq pas një zjarri të fuqishëm që shpërtheu pasdite pranë qytetit Les Pennes-Mirabeau.

    Zjarri nisi nga një automjet që mori flakë në autostradën A552 dhe, për shkak të erërave të fuqishme që arrijnë mbi 70 km/orë, vazhdon të përhapet me shpejtësi.

    Për shkak të situatës së rënduar, aeroporti i Marsejës – i dyti më i madh në Francë – ka pezulluar të gjitha fluturimet. U anuluan nisjet drejt Brukselit, Mynihut dhe Napolit, ndërsa fluturimet hyrëse u devijuan drejt aeroporteve të tjera si Nice dhe Nîmes.

    Kryetari i bashkisë së Marsejës, Benoît Payan, deklaroi për BFMTV se “dhjetëra shtëpi që ishin në rrezik janë evakuuar”, duke shtuar se zjarrfikësit kanë arritur të shpëtojnë qindra banesa nga flakët.

    “Dua t’i siguroj qytetarët e Marsejës se për momentin jemi në një betejë të vërtetë,” tha ai, duke krahasuar përpjekjet e zjarrfikësve me “një luftë guerile”.

    Payan theksoi rëndësinë e natës që po afron, duke thënë: “Gjithçka është strategjike: shpejtësia e erës, lagështia, errësira – çdo faktor ka rëndësi.”

    Autoritetet rajonale të Provence-Alpes-Côte d’Azur u kanë bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpi, me dyert dhe qepenat e mbyllura. U rekomandua vendosja e leckave të lagura mbi hapjet për të shmangur thithjen e tymit toksik. Rrugët duhen mbajtur të lira për kalimin e automjeteve të emergjencës.

    “Zjarri po përhapet me shpejtësi. Shmangni çdo aktivitet në natyrë dhe mos pengoni aksesin e forcave të shpëtimit,” deklaroi bashkia, duke aktivizuar zyrtarisht planin e emergjencës. Rreth 720 zjarrfikës me 220 automjete, helikopterë dhe avionë zjarrfikës janë angazhuar në përballimin e flakëve. Dy komplekse banimi janë evakuuar, ndërsa po bëhen përpjekje për të mbrojtur një azil pleqsh që ndodhet shumë afër zonës së djegur.

    Sipas guvernatorit rajonal të Provence-Alpes-Côte d’Azur, më shumë se dhjetë banesa janë prekur nga flakët, pesë prej të cilave ndodhen brenda qytetit të Marsejës. Vetëm një banesë është shkatërruar plotësisht.

    Sipas Sky News, katër civilë kanë pësuar lëndime, ndërsa nëntë zjarrfikës janë ekspozuar ndaj tymit, me një prej tyre të shtruar në spital për shkak të një dëmtimi në shpatull.

    “Pamja është tronditëse,” tha Monique Bayard, banore e Les Pennes-Mirabeau, ku shumë prej fqinjëve të saj janë larguar nga shtëpitë. “Tymi është i dendur dhe mbytës,” përshkroi Jacqueline Revilla, një tjetër banore e zonës.

    Ndërkohë, rreth 250 kilometra në perëndim, zjarri pranë qytetit Narbonne vazhdon të përhapet pa u ndalur. Deri më tani janë djegur mbi 2,000 hektarë pyll dhe autostrada A9 është pjesërisht e mbyllur për qarkullim. Dhjetëra familje janë evakuuar si masë paraprake.

    “Na pret një natë e vështirë. Zjarrfikësit janë të rraskapitur,” paralajmëroi kreu i shërbimit zjarrfikës të prefekturës Aude, duke nënvizuar se kushtet klimatike – erërat e forta dhe thatësira – janë ideale për përhapjen e mëtejshme të flakëve.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!