Ursula von der Leyen dhe Komisioni Evropian i kanë mbijetuar mocionit të mosbesimit në Parlamentin Evropian, me 175 euro-deputetë që kanë votuar në favor të tij, 360 kundër dhe 18 që kanë abstenuar.
Konkretisht, votat pro mocionit ishin shumë poshtë shumicës prej dy të tretave të votave të kërkuara që nisma të ishte e suksesshme.
Von der Leyen, që nuk ishte e pranishme në seancë gjatë votimit, është e sigurt për momentin. Por votimi ka dobësuar pa dyshim pozitat e saj dhe ka bërë që të ngrihen pikëpyetje mbi mbështetjen për agjendën e saj në Parlament.
Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve kërkoi një zotim në këmbim të mbështetjes së tyre për buxhetin e ardhshëm afatgjatë.
Bëhet fjalë për një zotim që do të testohet javën e ardhshme, kur propozimi i Komisionit Evropian do të bëhet publik.
Ndërkohë, grupet e djathta Patriotët për Evropën dhe Evropa e Kombeve Sovrane, plus Konservatorët dhe Reformistët, por dhe pak euro-deputetë nga e majta votuan në favor të mocionit.
Më herët, vetë Von der Leyen ishte shprehur kundër mocionit, duke thënë se promovuesit e tij ishin vetëm marioneta të presidentit rus Vladimir Putin.
Von der Leyen ishte vënë në qendër të kritikave, sidomos për trajtimin e partive të djathta, për injorimin e çështjeve të rëndësishme dhe për drejtimin e komisionit në mënyrë jashtëzakonisht të centralizuar dhe pa transparencë.