Një deklaratë e presidentit filo-rus të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko për shpalljen e “vendimit më të rëndësishëm në çerek shekulli”, ka ndezur spekullimet në rrjetet sociale dhe në media për një bashkim të mundshëm me Rusinë, duke u bërë kështu territori i radhës i ish-Bashkimit Sovjetik që i shtohet Putinit përgjatë presidencës së tij.
“Në të ardhmen e afërt, unë do të marr një vendim që do e shpall. Do të jetë një nga vendimet e mia kryesore në një çerek shekulli. Do të jetë shumë serioze, ndaj edhe sikur të mos jem atje, ashtu si thotë shprehja popullore ‘me shpirt’ do të jem atje. E kam marrë një vendim dhe së shpejti do e formalizoj.”- ka thënë ai në një deklaratë në televizionin shtetëror Pul Pervyi.
Lukashenko ka lënë të kuptohet se vendimi do të jepet në formatin e një dekreti. Dyshimet shtohen në kushtet kur në emër të një “stërvitjeje të përbashkët ushtarake”, Rusia dhe Bjellorusia kanë me qindra trupa në kryeqytetin e Misnkut. Një bashkim i mundshëm mes dy shteteve dhe rritja territoriale e Rusisë do të ishte një fitore shumë e rëndësishme për figurën e Putin, i cili po vuan një valë mungese popullariteti dhe protestash masive kundër tij.
Kujtojmë se që pas ardhjes së Putin në Kremlin, Rusia ka aneksuar një pjesë të Gjeorgjisë veriore, rajonin e Krimesë në Ukrainë si dhe ka krijuar lëvizje separatiste që esencialisht i kanë dhënë asaj rajonin e Donbaskut dhe Luhansk në Ukrainën lindore.
Padyshim një bashkim mes dy shteteve do të ishte indikacion i qartë se Putin aspiron një rikthim të “Bashkimit Sovjetik” dhe rritjes të kontrollit direkt të Moskës mbi ish-shtetet pjesë e BRSS.
Megjithatë, aktualisht ndodhemi vetëm në nivelin e spekullimit, teksa nuk ka pasur ende deklarata zyrtare nga autoritetet ruse, veçse faktit që Rusia ka dërguar ushtarë në Minsk.