Departamenti amerikan i Drejtësisë bëri publike dy aktpadi të enjten ndaj shtetasit amerikan me origjinë ruse, Dimitri Simes, i cili shërbeu si këshilltar në fushatën presidenciale të ish Presidentit Donald Trump në vitin 2016, si dhe ndaj bashkëshortes së tij, Anastasia Simes. Të dy individët akuzohen për pjesëmarrje në skema të ndryshme, duke shkelur sanksionet amerikane.
Sipas aktpadisë së parë, çifti akuzohet për punësimin e Dimitrit për një kanal televiziv shtetëror rus, që është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe fshehjen e të ardhurave prej mbi 1 milion dollarësh nga ky televizion.
Dimitri ishte i angazhuar si prezantues dhe producent në televizionin ‘Channel One Russia’, që është mes entiteteve ndaj të cilave Zyra për Kontrollin e Pronave të Huaja e Departamentit amerikan të Thesarit vendosi sanksione në maj të vitit 2022. Ndaj televizionit u vendosën sanksione “për shkak se ishte në pronësi, kontrollohej, ose vepronte në emër të qeverisë së Federatës Ruse,” thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Për punën e tij në këtë kanal televiziv, sipas autoriteteve amerikane, Dimitri mori rreth 1 milion dollarë kompensim, një veturë personale me shofer si dhe një pagesë për një banesë në Moskë. Puna e tij në këtë media po ashtu mbështetej nga një ekip prej 10 punonjësish të televizionit ‘Channel One Russia’.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, puna dhe kompensimi i Dimitrit, që nga qershori i vitit 2022 deri tani, shkel ligjin mbi Kompetencat Ekonomike gjatë Emergjencave Ndërkombëtare (IEEPA).
“Aktpadia ve në dukje se Dimitri dhe Anastasia Simes gjithashtu u përfshinë në një skemë pastrimi parash, të vetëdijshëm që këto transaksione synonin të fshihnin të ardhurat e fituara”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë.
Secili prej tyre është akuzar për pjesëmarrje në konspiracion, shkelje të ligjit IEEPA dhe konspiracion për pjesëmarrje në pastrim ndërkombëtar parash. Në rast se shpallen fajtorë, secila akuzë përmban një dënim maksimal prej 20 vjetësh burg.
Çifti, që mbeten të lirë, kanë banesa në qytetin Huntly në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara dhe në Moskë. Departamenti i Drejtësisë tha se çifti Simes me gjasë është në Rusi.
Bashkëshortja Anastasia po përballet me akuza shtesë si pjesë e një skeme tjetër që Departamenti i Drejtësisë thotë shkel ligjin IEEPA. Sipas tij, ajo mori fonde nga oligarku rus, nën sanksione, Aleksandr Yevgenyevich Udodov për të blerë vepra arti për galeritë e zotit Udodov në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.
Veprat janë dërguar dhe mbajtur fillimisht në shtëpinë e çiftit në Huntly dhe më pas janë dërguar në Rusi. Departamenti i Drejtësisë thotë se Anastasia ishte e përfshirë në pastrim parash për të maskuar shkeljet e ligjit IEEPA.
Në aktpadinë e dytë, Anastasia përballet me një akuzë për konspiracion për të shkelur ligjin IEEPA, për shkeljen e ligjit, si dhe për konspiracion për pastrim ndërkombëtar parash. Secila akuzë parasheh dënime deri në 20 vjet burg.
Ndaj zotit Udodov janë vendosur sanksione në shkurt të vitit 2023 për angazhimin e tij si konsulent menaxhimi në veprimtaritë ekonomike të Federatës Ruse./VOA