Qytetet që do të mirëpresin tifozë në ndeshjet e fundit të Kampionatit Europian të Futbollit (Euro 2020) duhet të marrin masa për përhapjen e Covid-19, duke kontrolluar tifozët edhe para mbërritjes së tyre.
“Ne duhet të shohim përtej fazave”, tha Kathryn Smallwood, një zyrtare e OBSH-së në Evropë, kur u pyet në lidhje me rekomandimet e organizatës përpara rritjes së rasteve të koronavirusit në Londër dhe Shën Petersburg.
Kryeqyteti britanik do të presë gjysmëfinalet dhe finalen e Euro javën e ardhshme, ndërsa ndeshja çerekfinale midis Zvicrës dhe Spanjës do të zhvillohet nesër, e premte, në Shën Petersburg.
I pyetur nëse Euro mund të ishte një “vatër” e covid-19, drejtori i OBSH-së për Evropën Hans Klugge u përgjigj: “Shpresoj që jo, por nuk mund ta përjashtoj si mundësi”.
Ndërsa janë identifikuar disa raste të Covid gjatë ndeshjeve, kjo ka rritur frikën për përhapjen e mëtejshme të variantit Delta. Gati 2,000 persona që jetojnë në Skoci ndoqën ndeshjet e Euro ndërsa ishin të infektuar me koronavirus, shumë prej të cilëve ishin të pranishëm në ndeshjen kundër Anglisë në Londër më 18 qershor, sipas një njoftimi nga autoritetet skoceze.
OBSH bëri thirrje për vigjilencë në të gjitha ngjarjet kryesore të planifikuara për verën.
Rritja e rasteve me covid-19 ka ngritur shqetësime në lidhje me një valë të re infeksionesh gjatë vjeshtës në Evropë nëse qytetarët nuk vaksinohen.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.