Vendimi i administratës Trump për të zgjatur afatin për vendosjen e tarifave doganore ka përshkallëzuar ndjeshëm pasigurinë për shumë vende të botës, deklaroi Pamela Coke-Hamilton, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë (ITC).
Presidenti amerikan Donald Trump intensifikoi luftën tregtare, duke njoftuar se 14 vende, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut dhe shtete më të vogla eksportuese, do të përballen me tarifa shumë më të larta pas afatit të ri të caktuar, 1 gusht.
“Ky veprim, në thelb, zgjat periudhën e pasigurisë, minon marrëveshjet afatgjata për investime dhe bashkëpunime tregtare, dhe shton më tej pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë”, theksoi Coke-Hamilton në një konferencë për media në Gjenevë.
Ajo theksoi se mungesa e qartësisë mbi kostot i pengon bizneset që të planifikojnë apo të marrin vendime për investime.
Coke-Hamilton shtoi gjithashtu se kjo pasiguri, e kombinuar me shkurtimet e mëdha të ndihmës zhvillimore ndërkombëtare, përbën një “tronditje të dyfishtë” për vendet në zhvillim, duke rrezikuar përparimin ekonomik dhe stabilitetin e tyre.
Sipas saj, shumë shtete po ndihen të detyruara të arrijnë marrëveshje me SHBA-në për të shmangur tarifat e reja, që nga prilli kur Presidenti Trump nisi një luftë tregtare globale që tronditi tregjet financiare dhe vuri në alarm politikat ekonomike të shumë qeverive në botë.