×
  • Lajme
  • Botë / Tubimi Kombëtar

    Policia franceze bastis zyrat e partisë së Marine Le Pen-it

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 17:53

    Autoritetet franceze kanë bastisur mëngjesin e sotëm, selinë e partisë National Rally (në shqip Tubimi Kombëtar) të Marine Le Pen, si pjesë e një hetimi ku partia dyshohet se shkeli ligjet e financimit të fushatave gjatë zgjedhjeve të fundit.

    Politico.eu shkruan se prokurorët thanë se hetimi, i cili nisi vitin e kaluar, po shqyrton nëse partia financoi fushatat pjesërisht përmes kredive të paligjshme midis 1 janarit 2020 dhe 12 korrikut 2024.

    Edhe pse ende nuk është akuzuar asnjë individ ose subjekt, hetimet kanë të bëjnë me akte të mundshme të pastrimit të parave dhe përdorimit të dokumenteve të falsifikuara gjatë fushatës presidenciale franceze të partisë në vitin 2022, zgjedhjeve legjislative franceze të të njëjtit vit dhe zgjedhjeve evropiane në vitin 2024.

    Presidenti i partisë, Jordan Bardella, konfirmoi në një postim në rrjetin social “X” se selia e Tubimit Kombëtar, “përfshirë zyrat e udhëheqësve të saj, ka qenë subjekt i një kontrolli të kryer nga rreth 20 oficerë policie të armatosur nga Brigada Financiare, të veshur me jelekë antiplumb, të shoqëruar nga dy gjyqtarë hetues”.

    Bardella i përshkroi bastisjet si “të paprecedenta” dhe një “sulm serioz ndaj pluralizmit“, megjithëse disa seli të tjera të partisë në Francë janë bastisur vitet e fundit, duke përfshirë ato të Les Républicains të qendrës së djathtë dhe France Unbowed të së majtës ekstreme.

    Kryetari Bardella tha se “email-et, dokumentet dhe të dhënat kontabël të partisë që i përkasin Tubimit Kombëtar janë sekuestruar”. Më pas në një postim të mëvonshëm në “X” pretendoi se hetimet ishin bazuar në një “vepër penale të paqartë, pa një përkufizim të qartë” dhe ishin të motivuara politikisht.

    “Kjo shfaqje force ka vetëm një qëllim: të ofrojë argëtim për kanalet e lajmeve, të kontrollojë korrespondencën private të partisë kryesore të opozitës dhe të konfiskojë të gjitha dokumentet tona të brendshme,” tha Bardella. “Kjo nuk ka të bëjë fare me drejtësinë, por ka të bëjë plotësisht me politikën.”

    Autoritetet franceze kanë qenë duke i hetuar financat e partisë Tubimi Kombëtar prej disa kohësh.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!