×
  • Lajme
  • Botë

    Presidenti Biden e bën mbrojtjen e demokracisë pikën kyçe të fushatës

    Reporteri
    28 Shtator 2023 | 21:44

    Në fillim të vitit 2022, në përvjetorin e trazirave të 6 janarit në Kapitol, Presidenti Joe Biden qëndroi aty ku ndodhën trazirat dhe akuzoi Donald Trumpin se vazhdon të mbajë “thikën” në fytin e demokracisë. Presidenti Biden e mbylli verën e atij viti nën hijen e Sallës së Pavarësisë në Filadelfia, duke e dënuar “Trumpizmin” si një kërcënim për institucionet demokratike.

    Atë nëntor, ndërsa votuesit po merrnin pjesë në zgjedhjet e mes mandatit, zoti Biden përsëri bëri thirrje të qartë për të mbrojtur institucionet demokratike, duke paralajmëruar se themelet e tyre mbetën të kërcënuara.

    Presidenti Biden të enjten do të mbajë fjalimin e katërt mbi gjendjen e demokracisë, një nga çështjet kyçe të tij, ndërsa përpiqet të qëndrojë në pushtet përballë shifrave të ulëta të përkrahjes në sondazhe dhe shqetësimeve në rritje të votuesve rreth moshës së tij 80 vjeçare.

    “Ka diçka të rrezikshme që po ndodh në Amerikë”, pritet të thotë Presidenti Biden gjatë fjalimit, sipas disa pjesëve të publikuara nga Shtëpia e Bardhë. “Ka një lëvizje ekstremiste që nuk përkrah bindjet themelore të demokracisë sonë. Lëvizja MAGA”. Inicialet MAGA i referohen lëvizjes së ish Presidentit Trump, “Ta bëjmë Amerikën përsëri madhështore”.

    Vendndodhja për mbajtjen e këtij fjalimi, siç ishte rasti me fjalimet e tjera, u zgjodh qëllimisht: pranë Universitetit Shtetëror të Arizonës, i cili strehon Institutin McCain, i emëruar në nderim të Senatorit të ndjerë të Arizonës, John McCain – një mik i zotit Biden dhe kandidat republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008. Zoti McCain, përgjatë karrierës së tij, kishte denoncuar autokratët anembanë globit.

    “Kam ardhur të nderoj Institutin dhe Bibliotekën McCain sepse ato janë shtëpia e një republikani krenar që e kishte vendosur Amerikën gjithmonë në radhë të parë”, pritet të thotë Presidenti Biden. “Përpjekjet tona për të mbrojtur demokracinë tani nuk duhet të jenë më të vogla sepse demokracia duhet të bashkojë të gjithë amerikanët, pavarësisht nga përkatësia politike”.

    Kundërshtari i tij më i mundshëm në zgjedhjet e vitit 2024, ish Presidenti Donald Trump, vazhdon të mbrojë pretendimet në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, që ai i humbi, dhe tani po përballet me akuza të pashembullta penale që pjesërisht kanë të bëjnë me pretendimet e tij për zgjedhjet e vitit 2020.

    Në mbledhjet e fondeve që bëhen larg syve të publikut, zoti Biden ka komentuar gjerësisht rizgjedhjen e tij, duke iu lutur mbështetësve që t’i bashkohen përpjekjeve të tij për të “shpëtuar demokracinë amerikane”. Ai e tha këtë para një një sërë donatorësh të pasur në fillim të këtij muaji, në Nju Jork.

    Përkrahësit e tij thonë se rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit të vitit të kaluar tregojnë se kjo është një politikë e mirë dhe e suksesshme. Në ato zgjedhje, kandidatët që nuk pranojnë rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, nuk dolën mirë në garat e ngushta dhe arsye për këtë ka qenë frika e votuesve për demokracinë.

    Kari Lake, kandidatja republikane për guvernatore të Arizonës nuk e ka pranuar kurrë humbjen e saj ndaj guvernatores Katie Hobbs dhe tani po përgatit fushatën për t’u zgjedhur senatore në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Kandidati republikan për Senatin Blake Masters dhe republikani Mark Finchem, i cili kandidoi për sekretar shteti në Arizona, gjithashtu përsëritën pretendime të rreme për zgjedhjet në fushatat e tyre përkatëse.

    Senatori demokrat Mark Kelly, i cili mposhti zotin Masters, u shfaq në një tubim fushate në nëntor përkrah ish-presidentit Barack Obama, i cili në fjalimin e tij e cilësoi garën në Arizona si një betejë për të mbrojtur demokracinë. Ai mesazh, thotë senatori Kelly tani, nuk pati ndikim vetëm tek anëtarët e partisë së tij, por edhe tek votuesit e pavarur dhe të moderuar të Partisë Republikane.

    Republikanët, jo publikisht, e pranojnë se retorika e mohimit të rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2020, që mbizotëroi mesazhin e kandidatëve të tyre, dëmtoi përpjekjet për të fituar garën për guvernator dhe atë për senator, sipas tre zyrtarëve republikanë që punuan në garat mbarëkombëtare në nëntorin e kaluar.

    Çështja e demokracisë bëri jehonë më shumë në Arizona sesa në shtetet e tjera ku ka garë të fortë mes dy palëve. Argumenti se kandidatët mohojnë faktet bazë mbi zgjedhjet ndihmoi në përforcimin e pretendimeve të demokratëve për ekstremizmin e republikanëve edhe për çështje të tjera, krejtësisht të veçanta, thanë zyrtarët republikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti për të përshkruar mangësitë e partisë vitin e kaluar.

    Të enjten ndërsa Presidenti vlerëson kontributin e senatorit të ndjerë McCain, zoti Biden pritet të njoftojë edhe për ndarjen e fondeve federale për ndërtimin e “Biblotekës McCain”, e cila sipas përshkrimit të Shtëpisë së Bardhë do të ofrojë mundësi edukimi, pune dhe programe shëndetësore që do t’iu ofrohen komuniteteve të varfra.

    Paratë vijnë nga një paketë masive e ndihmës për COVID-19 prej 1.9 trilion dollarësh, e miratuar në muajt e parë të presidencës së zotit Biden. Projekti do të realizohet në bashkëpunim me Institutin McCain dhe Universitetin Shtetëror të Arizonës. Bashkëshortja e senatorit të ndjerë, Cindy McCain, anëtarë të tjerë të familjes së tyre, guvernatorja Hobbs dhe përfaqësues të tjerë do të marrin pjesë në ngjarjen përkujtimore të zotit McCain, “kundërshtimet e të cilit mbi abuzimin me pushtetin dhe besimin fetar në Amerikë përfaqësojnë një shembull të fuqishëm për jetën”, tha Shtëpia e Bardhë./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!