Presidenti 68-vjeçar i Rusisë, Vladimir Putin në seancën vjetore të pyetje-përgjigjeve që zhvillon nga Kremlini ka pranuar se ka filluar të mendojë për periudhën pas tij në lidhje me figurën që mund ta zëvendësojë në krye të punëve të superfuqisë gjeopolitike.
Në përgjigje të pyetjes së dërguar me postë elektronike, Putin ka thënë se ai mund t’i propozojë rusëve një person, por ai do të duhet të marrë mbështetjen e popullit me votë, për t’i paraprirë pretendimeve se autokrati rus mund të emerojë pasardhësin ashtu siç ka bërë me Dmitry Medvedev në të shkuarën.
“Natyrisht që po afron koha që do të mund të them se për mendimin tim ky apo ai persona është i denjë të drejtojë një vend kaq madhështor si atdheu ynë Rusia”- ka thënë mes të tjerash Putin, që e ka deklaruar hapur se kushdo që të marrë “stafetën” pas tij, ai do të qëndrojë në jetën publike “për të këshilluar dhe për të ndarë eksperiencën e tij me liderin e ardhshëm të vendit”.
Ndonëse kjo është hera e parë që Putin flet për pasardhës, teksa i është shmangur kësaj pyetjeje në të shkuarën, vetëm pak muaj më parë ai firmosi ligjin që heq kufizimin e dy mandateve të presidentit, duke i lejuar teorikisht mundësinë që të mbajë pushtetin në Kremlin deri në vitin 2036. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Rusi do të zhvillohen në vitin 2024, por në kushtet që lëvizjet e mëdha opozitare si ajo e Alexei Navalny janë shpallur “organizata terroriste”, kandidimi i figurave që realisht kanë profil publik për të sfiduar Putin është bërë i jashtëligjshëm.
Mes shumë pyetjeve të tjera, Putin ka komentuar edhe momentin historik të ardhjes së tij në pushtet. Ai ka thënë se Boris Yeltsin “nuk i dorëzoi pushtetin”, por se ai fitoi besimin e njerëzve me punën dhe personalitetin e tij, një fakt deri diku i vërtetë duke parë që në vitet e para të presidencës Putin pati rritje eksponenciale të ekonomisë ruse dhe një rikthim i krenarisë kombëtare të Rusisë në arenën ndërkombëtare.