Zyrtarët amerikanë dhe talibanët për herë të parë i kanë zhvilluar bisedimet e tyre që prej kur ata e kanë marrë drejtimin e Afganistanit dhe prej kur janë larguar trupat amerikane nga aty.
Këto bisedime janë zhvilluar në Katar dhe janë përqendruar tek ndihmat humanitare për Afganistanin, evakuimin e qytetarëve amerikanë dhe për pjesëtarët e grupeve ekstremiste.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se takimi nuk përbën njohje të talibanëve.
Kjo vjen një ditë pasi Afganistani pësoi sulmin më vdekjeprurës që kur forcat amerikane u tërhoqën.
Pas bisedimeve Ministri i Jashtëm i Afganistanit, Taliban Amir Khan Muttaqi,ka thënë se të dyja palët kanë rënë dakord që të respektohen kushtet e marrëveshjes së Dohas të nënshkruar në vitin 2020.
Marrëveshja e Dohas i detyron talibanët që të kontrollojnë grupet e Al-Kaidas që e kërcënojnë sigurinë e SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri tani nuk kanë folur për të gjitha detajet. Por një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha më parë se zyrtarët do ta përdorin takimin për të bërë presion ndaj talibanëve për të respektuar të drejtat e grave, për të formuar një qeveri gjithëpërfshirëse dhe për të lejuar që agjencitë humanitare të veprojnë.
Takimi pritet të vazhdojë edhe të dielën, shkruan BBC.