×
  • Lajme
  • Botë

    Stoltenberg thotë se Ukraina ka arritur “shumë” në ofensivën brenda Rusisë

    Reporteri
    05 Shtator 2024 | 20:04

    Ukraina ka arritur “shumë” në inkursionin e saj brenda rajonit Kursk të Rusisë, por është e vështirë të thuhet se si do të zhvillohet situata më tutje, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të enjten në Oslo.

    “Vetëm ukrainasit mund të marrin vendime të vështira që nevojiten, si për shembull, se ku t’i zhvendosin forcat e tyre dhe se çfarë lloji i luftës është i duhur në këtë situatë”, tha Stoltenberg.

    Kievi pretendon se i ka marrë nën kontroll më shumë se 1.200 kilometra katrorë të tokës ruse falë inkursionit befasues muajin e kaluar. Kjo është hera e parë prej Luftës së Dytë Botërore që ndodh një inkursion në tokën ruse.

    Ndërkohë, forcat ruse kanë shënuar përparime të mëdha në përpjekjet e tyre për ta kapur qytetin strategjik të rajonit lindor të Ukrainës, Pokrovsk.

    Stoltenberg tha se Ukraina ka të drejtë për vetëmbrojtje, përfshirë për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të cilat mund t’i arrijnë shënjestrat e tyre brenda Rusisë.

    “Jam i kënaqur që shumë vende të NATO-s ia kanë dhënë atë mundësi, ndërsa ato të cilat s’i kanë hequr ende kufizimet, i kanë zbutur ato, në mënyrë që Ukraina të mund ta mbrojë veten”, shtoi Stoltenberg.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë të premten në një takim të Grupit Ramstein, një koalicion i shteteve që e furnizojnë Ukrainën me armë, ku pritet të kërkojë rritjen e furnizimit me armë, posaçërisht me raketa me rreze të gjata veprimi, sipas gazetës gjermane Spiegel.

    Zelensky i është lutur aleatëve ta ndihmojnë Kievin me mbrojtje ajrore dhe t’i heqin kufizimet që ia pamundësojnë atij përdorimin e armëve të tyre me rreze të gjata veprimi për sulme brenda Rusisë./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!