Ushtria e Ukrainës ka konfirmuar se njëri prej avionëve të saj luftarakë, F-16, të cilët i ka marrë nga partnerët e vet perëndimorë, u rrëzua më 26 gusht.
Avioni humbi derisa po i zmbrapste sulmet ruse, tha ushtria ukrainase të enjten.
Piloti vdiq si pasojë e rrëzimit të avionit, shtoi ajo.
Wall Street Journal raportoi më herët të enjten se avioni F-16 u shkatërruar si pasojë e përplasjes më 26 gusht. Një zyrtar i paidentifikuar amerikan tha për gazetën se, megjithëse incidenti ndodhi gjatë një sulmi të madh rus në Ukrainë, raportimet fillestare treguan se F16-shi nuk u rrëzua nga zjarri i armikut.
Wall Street Journal tha se avioni u rrëzua me gjasë si pasojë e një gabimi të pilotit.
Rrëzimi i avionit luftarak ndodhi pak javë pasi F16-shat e parë mbërritën në Ukrainë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Kievi i përdori për herë të parë këta avionë në luftime për të rrëzuar raketa ruse gjatë sulmeve të kësaj jave.
Të enjten, Holanda i dha leje Ukrainës t’i përdorë avionët luftarakë F-16 në territorin rus, të cilët i ka dhuruar kohë më parë.
Holanda ia ka dhuruar Ukrainës 24 avionë luftarakë F-16.
F16-shat, të ndërtuar nga Lochheed Martin, kanë qenë dëshirë e kamotshme e Ukrainës, për shkak të forcës së tyre shkatërruese. Ky avion mund të bartë bomba, predha dhe raketa.
Pilotët ukrainas janë trajnuar se si t’i përdorin F16-shat nga partnerët perëndimorë për muaj të tërë./REL
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.