Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka reaguar pas vdekjes së 26-vjeçarit nga Gjilani i cili ditën e djeshme u hodh nga kati i pestë i njërit nga konviktet, në Prishtinë.
Njëkohësisht, Bytyçi reagon edhe ndaj postimit të fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, i cili sipas Bytyçit Kurti e ka gjetur fajtorin për dështimin e tij, shkruan Reporteri.net
“Na qenka opozita, e cila sipas tij e paska penguar punën e Kuvendit dhe rrjedhimisht punën e Qeverisë në detyrë dhe të Ministrit të Shëndetësisë”, ka shkruar ndër të tjera Bytyçi.
Mirëpo, Bytyçi thotë se sikur të ishte marr parasysh kërkesa e PDK-së për shtimin e testeve e edhe shumë masa të tjera, Agoni mbase kish shpëtuar
“Agoni edhe mund të ishte shpetuar!Albin Kurti në reagimin e fundit e paska gjetur fajtorin për dështimin e tij politik në kohë pandemie, edhe për shkeljen e Kushtetutës dhe çdo dështim tjetër.Na qenka opozita, e cila sipas tij e paska penguar punën e Kuvendit dhe rrjedhimisht punën e Qeverisë në detyrë dhe të Ministrit të Shëndetësisë.Një tentim i neveritshëm i një politikani që tanimë është mësuar të sakrifikoj jetë njerëzish për interesat e tij meskine për të ardhur në pushtet por edhe për ta mbajtur pushtetin.Sikur t’i kishte marrë parasysh rekomandimet e Partisë Demokratike të Kosovës për shtimin e testeve, ngritjen e kapaciteteve të karantinimit si dhe menaxhimin e situatës në tërësi, sot Agoni, ndoshta do të ishte në mesin e familjarëve të tij.Vdekja e një qytetari të këtij vendi, në kohë pandemie është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e institucioneve. Qytetari e humbi jetën vetëm pse nuk kishte librezë partie për të shmangur karantinimin, edhe pse kishte dokumentin për gjendjen e rënduar shëndetësore.
Hetimi i menjëhershëm dhe i paanshëm është i domosdoshëm që të vihet drejtësi për Agonin dhe familjen e tij”, ka shkruar Bytyçi.