Politikani mbase më i papërtypshëm në skenën politike serbe rreth çështjes me Kosovën, Nenad Çanak, në televizionin serb “Kurir”, e quajti “mashtrim” tërë diskursin e kastës politike serbe në relacion me Kosovën.
Kosova, u shpreh decidivisht Çanak, është shtet i pavarur dhe ia ka dalë t’i sigurojë ndërkombëtarisht vetes qindra njohje. Si e tillë ajo kaherë ka jetën e brendshme të saj politike, tha ai.
“Kosova është mashtrimi më i madh serb. Ja pse – Kosova është shtet i pavarur, dhe shumica dërrmuese e popullatës në Kosovës nuk janë të gatshëm të jetojë në bashkësi me Serbinë. Kosova ka gjetur mënyrat e saj të njihet nga qindra shtete, dhe ata kanë jetën e tyre të brendshme politike”, ka thënë Nenad Çanak.
Javë më parë, në njohjen e ndërsjellë të letërnjoftimeve mes Kosovës dhe Serbisë, Çanak tha se kjo e fundit praktikisht pranoi pavarësinë e Kosovës, ndonëse presidenti serb, është në gjendje të bëjë gjithçka, “përveç se ta pranojnë se kanë pranuar pavarësinë e Kosovës”.
“Ka qenë e qartë se që nga 1999’ta lidershipi i Republikës së Serbisë do të bëjë gjithçka përveç se të pranojë se e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës”, tha ai për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, përcjell “Reporteri.net”.
“Burimi i tensioneve në Ballkan është vështirë i qëndrueshëm në kuptimin afatgjatë, dhe është krejtësisht e qartë se një marrëveshje do të bëhej me Kosovën”.
“Pasi që pala kosovare këmbënguli në konceptin e reciprocitetit, ishte e pritshme që Serbia do të duhej të njihte dokumentat e Republikës së Kosovës”, tha Nenad Çanak.
Pyetur se a do t’i njeh Serbia edhe targat e Republikës së Kosovës (RKS), politikani serb tha se s’ka asnjë lloj dallimi mes targave dhe letërnjoftimeve.
Është e logjikshme, tha ai, që kjo gjë do të ndodhë.
“Pasi që rubikoni u kalua, është vetëm çështje kohe që do t’i njeh edhe ato. Pres që targat KM të mos ndalohen, gjë që do ta lëndojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.
“Nga njëra anë Serbia e ka njohur Kosovën pa e pranuar se e ka njohur dhe nga ana tjetër kemi emërimin e të preferuarit të Kremlinit Ivica Daçiç si koordinator i të gjitha shërbimeve të sigurisë”, tha Çanak
Emërimi i Daçiqit është një koncesion ndaj Rusisë dhe njohja e Kosovës është një lëshim për Perëndimin.”
Ai u shpreh se “nëse Republika e Kosovës do të ishte njohur nga demokratët, Beogradi do të digjej sot”.
Çanak u shpreh edhe se në preambulën e Kushtetutës së Serbisë thuhet se “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Sirisë me autonomi thelbësore që do të rregullohet me ligje të veçanta”.
“Që nga miratimi i Kushtetutës në vitin 2006, asnjë qeveri nuk ka denjuar të hartojë një ligj për autonominë e Kosovës. Kosova i shërbeu çdo presidenti vetëm për të rrahur gjoksin se do ta ruante Kosovën si pjesë e Republikës së Serbisë”.
“Që nga viti 2006, kur vjen fjala për Kosovën, çdo udhëheqje serbe ka bërë të njëjtën gjë, që është t’ua kalojë topin atyre që vijnë, dhe tani mbetet që Vuçiçi ta zgjidhë, që është logjike”, ka përfunduar Nenad Çanak.