×
  • Lajme
  • Lajme

    Cila nga partitë ka programin më të mirë qeverisës: Kështu i renditin qytetarët

    Reporteri
    02 Prill 2019 | 18:13

    Qytetarët e Kosovës, aktualisht mendojnë se LDK-ja e ka programin më të mirë për të qeverisur Kosovën. Pas saj renditet partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa PDK-ja ka mbetur e treta, e pas saj vjen AAK-ja e Nisma, që bashkë me AKR-në janë në qeverisje, transmeton Reporteri.net.


    Këto të dhëna kanë dalë nga një hulumtim i Institutit të Prishtinës për Studime Politike, saktësisht në pyetjen që ka qarkulluar te 1200 të anketuar, në 38 komuna të Kosovës, se “cilat nga partitë politike mendoni se ka programin dhe politikat më cilësore për të qeverisur Kosovën.

    “Në përgjithësi, 21.2% e qytetarëve besojnë në programin dhe politikat e LDK, 19.7% besojnë në programin dhe politikat e Vetëvendosje, ndërsa 16.1% besojnë se PDK posedon programin dhe politikat më cilësore për të qeverisur Kosovën”, thuhet në këtë raport.
    Aty del që AAK-ja e kryeministrit Haradinaj është e katërta me 12.1 %, derisa e Nisma renditet e pesta, me 5.2 5.

    Nën 5 për qind e para është PSD-ja, me 2.2%, AKR-ja me 1.6 %, Lista Serbe me 1.1 % dhe Alternativa me 0.2 %.

    Vlen të theksohet se në nivel të lartë janë edhe refuzimet e respodentëve, 8.4% dhe ata që janë deklaruar se asnjëra prej këtyre partive, me 11.3 %.

    Renditje e njëjtë ka dalë edhe në pyetjen se “Cilës parti politike në Kosovë i besoni më së shumti për të integruar Kosovën në BE dhe NATO dhe për të kultivuar raportet me shtetet partnere”.

    Kjo pyetje trajton besimin e kosovarëve në partitë politike për të udhëhequr procesin e integrimit Euro-Atlantik si dhe në kultivimin e marrëdhënieve me shtetet partnere të Kosovës.

    “Përgjigjet kanë renditur LDK-në partinë e parë me 21.9%, ndërsa PDK dhe Vetëvendosje janë renditur në vendin e dytë, respektivisht të tretë, me nga 17.5%. Rreth 20% e respondentëve kanë zgjedhur përgjigjen ‘Asnjëra’ ose ‘Refuzoj të përgjigjem’”, thuhet në raport. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!