Rrjeti i organizatave “Demokraci në Veprim” ka reaguar për zgjedhjet në veri të cilat janë paraparë të mbahen më 23 prill.
Përmes një njoftimi, DnV ka thënë se mospjesëmarrja e asnjë kandidati serb në këto zgjedhje mund ta cënojë legjitimitetin e institucioneve që do të dalin pasi që nuk garanton përfaqësim të drejtë të komunitetit serb.
“Përkundër shtyrjes së disahershme të ditës së zgjedhjeve dhe afateve për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, subjektet politike, në veçanti ato të komunitetit serb, nuk kanë shprehur vullnet për të qenë pjesë e garës zgjedhore. Madje, në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, ku komuniteti serb përbën mbi 90% të popullsisë, nuk është regjistruar asnjë kandidat nga radhët e komunitetit serb. #DnV vlerëson se kjo situatë mund të cenojë legjitimitetin e institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet, pasi nuk garanton përfaqësim të drejtë të komunitetit serb“, ka shkruar DnV, përcjell Reporteri.net.
Tutje, DnV ka vlerësuar se KQZ-ja po përballet me sfida në organizimin dhe administrimin e procesit të mirëfilltë zgjedhor për shkak të dorëheqjes së zyrtarëve zgjedhor nga trupat menaxhuese zgjedhore.
“Për shkak të dorëheqjeve të zyrtarëve zgjedhor të komunitetit serb nga trupat menaxhuese zgjedhore, si dhe e mungesës së interesimit të tyre për të aplikuar, KQZ-ja po përballet me sfida në zhvillimin e përgatitjeve të nevojshme për të organizuar dhe administruar një proces të rregullt dhe të mirëfilltë zgjedhor. Paqartësitë lidhur me shfrytëzimin e qendrave ekzistuese të votimit, emërimin dhe trajnimin me kohë të komisionerëve, bartjen e materialeve zgjedhore janë disa nga problemet kyçe me të cilat pritet të ballafaqohen trupat menaxhuese të zgjedhjeve”, shtoi DnV.
Ndërkaq, DnV thotë se mungesa e zyrtarëve policorë krijon mungesë të garantimit të sigurisë.
“Në përgjithësi, situata e sigurisë në katër komunat veriore vijon të jetë e brishtë. Dorëheqjet e zyrtarëve policor serb në ato komuna, përbëjnë handikap të madh në garantimin e sigurisë, veçanërisht gjatë procesit zgjedhor. DnV rikujton që krijimi i një ambienti të sigurt është parakusht thelbësor për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta.”, ka deklaruar rrjeti I organizatave joqeveritare, DnV.
Si rrjedhojë e kësaj, DnV parasheh mungesë të pjesëmarrjes së votuesve serb në zgjedhjet e 23 prillit.
“Në anën tjetër, për si rezultat i këtyre faktorëve, mund të pritet një mungesë e theksuar e interesimit të qytetarëve të komunitetit serb për të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo pritet të manifestohet edhe me dalje shumë të ulët në zgjedhje, që do të cenojë legjitimitetin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 23 prillit.”
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës Lista Serbe, nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale që mbahen në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ky vendim, sipas tyre, është marrë për shkak “të pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale, të cilat i zbaton regjimi i Albin Kurtit”./Reporteri.net./
Postimi i plotë: