Fshati Butovc i Prishtinës, i cili njihet për natyrën e tij, ka filluar të mbushet me deponi ilegale të mbeturinave.
Gazetarja e gazetës online Reporteri.net, Leonora Kolukaj, ka qëndruar sot në këtë fshat, prej ku raporton për mbeturinat e shumta atje. Pjesë të këtij fshati janë mbushur me materialë ndërtimorë, orendi e goma.
Por, a janë në dijeni nga Komuna për këto deponi ilegale?
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka deklaruar për Reporteri.net se aktualisht s’kanë kontratë aktive për largim të deponive të tilla.
“Aktualisht, Komuna nuk ka kontratë aktive për largimin e deponive ilegale, për shkak të përfundimit të kontratës së mëparshme dhe procedurave në vijim për angazhimin e operatorëve të rinj. Megjithatë, Drejtoria e Inspektoriatit po vazhdon me intensifikimin e aksioneve në terren, me fokus të veçantë në parandalimin e ndotjes së hapësirave”, ka deklaruar Brestovci, në një përgjigje me shkrim.
Ai thotë se po shqiptohen gjoba ndaj qytetarëve e bizneseve që po hedhin mbeturina.
“Inspektorët komunë janë duke shqiptuar gjoba ndaj qytetarëve dhe bizneseve që në mënyrë të papërgjegjshme hedhin mbeturina në vende që nuk janë të destinuara për deponim. Veprimet tona janë të mbështetura në legjislacionin në fuqi dhe synojnë të nxisin ndërgjegjësim qytetar dhe ruajtje të mjedisit të pastër për të gjithë”, ka deklaruar tutje Brestovci./Reporteri.net
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.