×
  • Lajme
  • Lajme / Kabashi-Muçaj

    Deputetja e LDK-së jep sinjale “flirti” me VV-në: Subjektet politike duhet të reflektojnë

    Reporteri
    14 Maj 2025 | 20:54

    Deputetja e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Serbeze Kabashi-Muçaj, ka bërë thirrje për reflektim nga të gjitha subjektet politike për të tejkaluar ngërçin institucional.

    “Asnjë kalkulim afatshkurtër nuk duhet të mbajë peng asnjë ditë më shumë të ardhmen e vendit. Ne nuk kemi të drejtë t’i zhgënjejmë qytetarët me mosveprim. Ata na kanë zgjedhur për të zgjidhur, jo për të bllokuar”, ka shkruar ajo.

    Ajo e ka cilësuar si të papranueshme situatën aktuale në Kuvendin e Kosovës, ndërsa ka theksuar se është e padrejtë që barra e zhbllokimit t’i lihet vetëm një partie politike.

    “Procesi është kolektiv dhe çdo deputet mban një mandat që i buron nga qytetarët, jo nga aritmetika politike. Përgjegjësia për ta çuar vendin përpara është e përbashkët, ashtu siç është edhe dëshira e qytetarëve për stabilitet, rend dhe zhvillim”, ka shtuar deputetja e LDK-së.

    Postimi i plotw:

    Reagim Publik

    Të nderuar qytetarë,

    Po ju drejtohem sot jo thjesht si përfaqësuese e një subjekti politik, por si përfaqësuese e besimit tuaj – një besim që më ngarkon me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë ndaj interesit publik dhe rendit demokratik.

    Kur institucionet e shtetit ngujohen në heshtje dhe bllokadë, zëri i ndërgjegjes duhet të dëgjohet.

    Jemi dëshmitarë të një situate të paprecedentë në Kuvendin e Kosovës: 15 seanca të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe vazhdimi i kësaj bllokade po minojnë seriozisht besimin e qytetarëve në funksionimin e demokracisë parlamentare.

    Kjo gjendje nuk është as e pranueshme, as e drejtë.

    Është e pakuptimtë dhe e padrejtë që përgjegjësia për zhbllokimin institucional t’i lihet vetëm një partie, kur procesi është kolektiv dhe çdo deputet mban një mandat që i buron nga qytetarët, jo nga aritmetika politike. Përgjegjësia për të çuar vendin përpara është e përbashkët, ashtu siç është edhe dëshira e qytetarëve për stabilitet, rend dhe zhvillim.

    Subjektet politike duhet të reflektojnë. Asnjë kalkulim afatshkurtër nuk duhet të mbajë peng asnjë ditë më shumë të ardhmen e vendit. Ne nuk kemi të drejtë t’i zhgënjejmë qytetarët me mosveprim. Ata na kanë zgjedhur për të zgjidhur, jo për të bllokuar.

    Respektimi i Kushtetutës, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe përmbushja e detyrave parlamentare nuk janë çështje vullneti, por detyrimi ligjor dhe moral.

    E vërteta është se Kosova sot ka nevojë për institucione funksionale, jo për krizë politike. Ka nevojë për bashkëpunim, jo për fajtore. Ka nevojë për përfaqësues që veprojnë, jo që heshtin.

    Me këtë reagim, nuk kërkoj asgjë më shumë përveç përgjegjësisë që na takon të gjithëve: t’i rikthejmë qytetarëve besimin në demokraci.

    Zgjidhja është në duart tona. Të mos e zhgënjejmë më shumë popullin që na ka besuar.

    Me respekt,

    Prof. Dr. Serbeze Kabashi-Muçaj

    Deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!