Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Serbeze Kabashi-Muçaj ka mohuar se qëndrimi i saj është i ndryshëm me atë të LDK-së. Muçaj ka thënë se nuk ka votë individuale për ndonjë parti jashtë vullnetit të grupit parlamentar të LDK-së, por në reagimin e saj, deputetja e LDK-së nuk ka përmendur takimin që të hënën e 16 qershorit kishte me kreun e VV-së dhe kryeministrin, Albin Kurti në Qeveri, takim ky për të cilin raportoi gjatë ditës së djeshme gazeta online Reporteri.net.
“Unë nuk kam dhe nuk do të ushtroj asnjëherë votë individuale për ndonjë parti politike jashtë vullnetit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vendimmarrja ime është dhe do të mbetet gjithmonë në përputhje të plotë me qëndrimet politike të LDK-së, përfshirë edhe rastet kur diskutohet apo vendoset për ndonjë koalicion të mundshëm.
Jam e vendosur që të përfaqësoj me integritet dhe përgjegjësi besimin që më kanë dhënë qytetarët, dhe kurrë nuk do të veproj në kundërshtim me këtë besim”, ka shkruar Muçaj në reagimin e saj.
Emri i Kabashi – Muçajt ka kohë që përflitet si një prej deputeteve që mund ta ‘tradhtojë” Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe të votojë pro Kurtit.
Siç raportoi dje gazeta online Reporteri.net, Kabashi-Muçaj, e shoqëruar nga asistenti i saj Islam Qerimi është takuar me Kurtin në objektin e Qeverisë të hënën rreth orës 20:00.
Pikërisht një muaj më parë ajo kishte shfaqur shenja “flirti” me Vetëvendosjen e Kurtit.
Deputetja e LDK’së kishte bërë thirrje për reflektim nga të gjitha subjektet politike për të tejkaluar ngërçin institucional.
Kosova ende nuk ka kuvend të konstituar as katër muaj pas zgjedhjeve paralemnetare, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë, por pa numra të mjaftueshëm për konstituimin e Kuvendit. /Reporteri.net/