Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media ditën e sotme ka thënë se Ligji për Amnisti është një gabim historik me pasoja të rënda për Kosovën, 12 vjet pas.
VV-ja ka kujtuar se kundërshtuan këtë ligji duke thënë se doli si kompromis nga marrëveshja Thaçi–Daçiq me Serbinë dhe amnistoi krime të rënda në veri e po ashtu sipas VV-së inkurajoi vazhdimin e veprimtarisë kriminale.
Sipas përfaqësuesve të kësaj partie me këtë ligj u falën edhe krimet, duke përfshirë këtu edhe vrasjet dhe krimet e tjera që ndodhnin në Kosovë.
“Ligji për amnisti nuk ka bërë asgjë për vendin tonë. Ishte një kompromis i dëmshëm dhe një gabim historik, sepse përveç që amnistuan krimet, u inkurajuan edhe grupet kriminale që të vazhdojnë me aktivitetet e tyre kriminale, sepse politikanët që qeverisën me vendin në atë kohë do të kujdeseshin për amnistimin e krimeve kundër rendit kushtetues, krimeve të kontrabandës, vrasjeve, dhunës frikësimit dhe plot krimeve të tjera që ndodhnin në Kosovë në vazhdimësi”, tha deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu.
Ndërkaq deputeti i VV-së, Artan Abrashi tha në konferencë se ligji për amnisti nuk solli bash asnjë ndryshim në veri të vendit sa i përket sjelljes së krimineleve dhe Serbisë.
“Ligji për amnisti që falte ata që vetëm në natën e tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000, dëbuan nga shtëpitë e tyre në veri të vendit 11 mijë shqiptarë, nuk u votuan në çfarëdo dite. Ky projektligj si për ironi u votua me 11 korrik, ditën kur Ballkani por edhe Evropa shënon ditën e masakrës së Srebrenicës. Teksa atje po shënohej një krim i Serbisë, këtu po falej një tjetër. Se ligji për amnisti nuk solli bash asnjë ndryshim në veri të vendit sa i përket sjelljes së krimineleve dhe Serbisë, nuk ka dëshmi më të madhe sesa katër vjet të qeverisjes sonë. Të gjitha këto struktura, që dikur thonin që po e njohin Kosovën, me të filluar së ushtruari kushtetueshmëria, rendi e ligji, u zhveshën të gjithë në mënyrë t organizuar me një urdhër nga Beogradi. Ata ishin në uniformë të Kosovës, derisa po punonin për Beogradin”, tha Abrashi.
Nga PDK-ja kanë reaguar pas deklaratave të deputetëve të VV-së.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda thotë se Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të gënjejë publikisht lidhur me Ligjin për Amnistinë. Ai ka shkruar se neni 4 i ligjit e përcakton qartë se nga amnistia përjashtohen veprat penale që kanë rezultuar me lëndime të rënda trupore ose me vdekje.
“LVV po vazhdon të gënjejë publikisht lidhur me Ligjin Nr. 04/L-209 për Amnistinë.
Deputetja Arbrësha Kryeziu dhe deputeti Artan Abrashi, në emër të kësaj partie, kanë mashtruar opinionin duke thënë se me këtë ligj janë falur edhe veprat penale të vrasjes”, shkruan Gruda dhe e quan ‘tërësisht të pavërtetë këtë’.
‘Kjo është tërësisht e pavërtetë. Neni 4 i ligjit e përcakton qartë se nga amnistia përjashtohen veprat penale që kanë rezultuar me lëndime të rënda trupore ose me vdekje. Ky manipulim i përsëritur disa herë nga LVV është i lehtë për t’u demantuar, mjafton ta lexoni vetë nenin 4 të ligjit dhe do ta shihni të vërtetën’, shkruan Gruda.
Reagoi edhe deputetja tjetër e PDK-së, Blerta Deliu.
Deliu, ka thënë se gënjeshtrën për Ligjin për Amnistinë, e filluar nga Albin Kurti, e vazhduan edhe dy deputetët tjerë të VV-së sot.
“Gënjeshtrën që e nisi Albin Kurti, sot e vazhduan deputetët e tij, Arbrësha Kryeziu dhe Artan Abrashi. Të gjithë në kor po shpërndajnë një të pavërtetë të plotë lidhur me Ligjin për Amnistinë, duke thënë se ai ka falur edhe vrasje. Por e vërteta është fare e thjeshtë:
Neni 4 i ligjit e përjashton qartë çdo vepër që ka shkaktuar vdekje apo lëndime të rënda”, shkruan Deliu.
Ajo thotë se kjo është shpifje e pastër dhe ‘propagandë e organizuar’.
“Kjo nuk është as keqkuptim dhe as mungesë informacioni. Është shpifje e pastër. Dhe më keq akoma, është propagandë e organizuar, që synon të mashtronte publikun për t’i mbuluar dështimet e pushtetit aktual’, shkruan Deliu. /Reporteri.net/