×
  • Lajme
  • Lajme / Agresioni serb në veri

    Deri ku kanë arritur hetimet për sulmin terrorist në Banjskë?

    Autor:Fortuna Shkodra Haliti
    12 Dhjetor 2023 | 22:00

    Po bëhen gati 3 muaj nga agresioni serb në veri të Kosovës. Raporti i fundit që Kosova ia përcolli Bashkimit Evropian për sulmin terrorist në Banjskë ka qenë në muajin tetor. Por një raport përfundimtar rreth sulmit duket se ende nuk është përpiluar. Më 9 tetor, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel ia ka përcjellë zyrtarisht BE-së raportin preliminar. Kështu ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

    MPJD, thotë se në vazhdimësi, përmes ambasadave dhe misioneve diplomatike në botë, ka informuar të gjithë partnerët dhe shtetet mike për gjetjet nga hetimet për sulmin terrorist në Banjskë.

    Informatat e para thotë se janë dërguar përmes kanaleve diplomatike qysh ditën e sulmit, ndërsa raportet e shkruara, me fakte dhe prova për planifikuesit, organizatorët dhe kryerësit e këtij sulmi, janë përcjellur disa herë gjatë mujave shtator dhe tetor, meqë raportet janë plotësuar në vazhdimësi, ashtu siç hetimet kanë prodhuar informata dhe njohuri të reja.

    “Këto raporte i janë përcjellë zyrtarisht edhe institucioneve të BE-së – Komisionit Evropian, Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian. Raporti i fundit, të cilit i referoheni, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel ia ka përcjellë zyrtarisht BE-së më 9 tetor 2023, në ora 15:00”, thuhet në përgjigjen e MPJD për Gazetën Online Reporteri.net.

    I njëjti, thotë kjo ministri, u është dorëzuar edhe shteteve anëtare të BE-së, si dhe shteteve tjera partnere.

    Ndonëse Bashkimi Evropian ka pranuar raporte e informata të vazhdueshme nga Kosova, një raport përfundimtar nuk e ka ende në duar.

    Gazeta Online Reporteri.net para pak ditësh ka marrë një përgjigje edhe nga Bashkimi Evropian. Ajo tha se nga Kosova, është duke pritur edhe një raport përfundimtar.

    “Ne kemi marrë informacione për sulmin e 24 shtatorit nga partnerët, përfshirë edhe nga Kosova dhe po presim raportin përfundimtar”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    BE-ja thotë se ende s’e ka pranuar një raport përfundimtar të Kosovës për sulmin terrorist në Banjskë

    Gazeta Online Reporteri.net muajin e kaluar ka siguruar raportin preliminar të përpiluar nga Kosova.

    Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e Kosovës tha për Gazetën Online Reporteri.net se po bën hetime intensive në lidhje me sulmin e 24 shtatorit.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para pak javësh tha se është e nevojshme që të ketë hetim të hollësishëm dhe t’i vendosen sanksione Serbisë, në mënyrë që të mos përsëriten sulmet sikurse ai i 24 shtatorit.

    “Për të mos ndodhur kjo sërish, është i nevojshëm edhe konkluzioni i hetimeve të BE-së, KFOR-it, EULEX-it, SHBA-së, në njërën anë, dhe sanksionet ndaj Serbisë në anën tjetër”, ishte shprehur Kurti.

    Sulmi në Banjskë ka nxitur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’u kthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

    Deri sot, janë identifikuar 38 terroristë që morën pjesë në sulm. 

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar fillimisht në Prishtinë, gjatë një vizite më 20 nëntor, se NATO-ja do të shqyrtojë shtimin e përhershëm të forcave në Kosovë, për ta mbajtur situatën nën kontroll.

    BE-ja ka thënë se Kosova ka mandat ta hetojë sulmin në Banjskë, ndërsa nga Serbia kërkoi që të bashkëpunojë pa kushte.

    Qeveria e Kosovës e akuzon Serbinë për këtë sulm, por Serbia zyrtare e mohon përfshirjen derisa vazhdon të bëjë hetime të ndara rreth sulmit.

    Edhe Prokuroria në Bosnjë e Hercegovinë pati pranuar më herët një parashtresë nga institucionet e Kosovës për të hetuar origjinën e armëve të konfiskuara në Banjskë.

    Policia e Kosovës pati konfiskuar një sasi të madhe armësh për të cilat tha se janë prodhim i fabrikave serbe dhe ish-jugosllave.

    Në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të këtij viti grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!