Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se deri më tani kanë pranuar deklarimin e një koalicioni parazgjedhor, atë mes Partisë Demokratike të Unitetit dhe Inciativës Balli.
Për Gazetën Online Reporteri.net, Elezi tha se partitë politike duhet që më së largu deri më 30 gusht ta njoftojnë KQZ-në për koalicione parazgjedhore.
Siç tha ai, partitë që bëjn koalicion s’mund të tërhiqen nga ai pasi koalicioni të jetë certifikuar.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara në Kosovë, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që më së largu deri më 30 gusht 2024 (16:00) ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike. Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar, derisa rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen”, tha Elezi për Reporteri.net.
Zëdhënësi i KQZ-së theksoi se partia politike që është anëtare e ndonjë koalicioni s’mund të marrë pjesë në një tjetër koalicion, apo si parti e veçantë në zgjedhje.
“Gjithashtu, partia politike që është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si parti politike e veçantë në të njëjtat zgjedhje.”
“Më 30 gusht 2024 (16:00) përfundon edhe afati për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për mospjesëmarrje në zgjedhje. Deri më tani, partitë politike të regjistruara, Partia Demokratike e Diasporës dhe Lëvizja për Bashkim, kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje”, tha Elezi.
/Reporteri.net/