Gjyqtarja Valdete Daka të hënën më 22 korrik ka deklaruar se Faton Hajrizit i ishte refuzuar kërkesa për lirimi me kusht për shkak se ai kishte 15 shkelje disiplinore.
Gazeta online Reporteri.net ka siguruar qasje në aktvendimin e Panelit për Lirim me Kusht në lidhje me rastin e të dënuarit Hajrizi.
Paneli për Lirim me Kusht, i përbërë nga Valdete Daka, kryesuese e Panelit, Kadrije Goga Lubishtani dhe Argjira Asllani, anëtare të Panelit, pas vlerësimeve, dolën me aktvendimin për refuzimin e kërkesës për lirimin me kusht të Faton Hajrizit për periudhën kohore prej 12 muajve, e njëjta mund të ishte rishqyrtuar pas kalimit të afatit.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 25 nëntor 2022, Hajrizit i ishte aprovuar kërkesa për unifikimin e dënimeve të shqiptuara me aktgjykimet P.nr 403/04, i datës 16 janar 2013, P.nr 403/04 i datës 10.06.2005, P.nr 382/06, i datës 24.01.2008, P.nr. 66/08 i datës 01.12.2008 dhe aktgjykimi P.nr. 131/06 i datës 18.11.2019, për shkak të veprave penale raste të rrëmbimit të Ligjit Penal të Serbisë, dy vepra penale të rrezikimit të sigurisë, arratisja e personit të privuar nga liria me tentativë nga neni i Ligjit Penal të Kosovës lidhur me nenin 19 të Ligjit Penal të Jugosllavisë, dy vepra penale të zotërimit, kontrollimit, posedimit apo përdorimit të paautorizuar të armëve nga Rregullorja e UNMIK-ut, raste të rënda të vjedhjes grabitqare nga Kodi Penal i Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve, arratisja e personit të privuar nga liria, raste të rënda të vjedhjes grabitqare, vrasje në tentativë, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, si dhe veprës penale falsifikim i dokumentit, i gjykuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 25 viteve.
I dënuari kishte parashtruar kërkesën për lirim me kusht nëpërmjet Institucionit të Qendrës Korrektuese, ku ishte në vuajtje të dënimit me burg. Kërkesa për lirim me kusht ishte parashtruar më 30 gusht të vitit 2023, me të cilin është kërkuar që të lirohet me kusht, me arsyetimin se gjatë vuajtjes së dënimit, me sjelljet e tij është arritur risocializimi dhe janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për lirimin me kusht.
Paneli për lirim me kusht në seancën e mbajtur më 25 tetor të vitit 2023, pasi shqyrtoi kërkesën e të dënuarit, dosjen e tij, raportin përmbledhës të përpiluar nga Ekipi Profesionist i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Deklaratën-premtimin lidhur me mbikëqyrjen e të dënuarit pas lirimit me kusht, ashtu siç është përcaktuar me nenin 116 të Ligjit mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale nr.08/L-132, dhe pas vlerësimit të tërësishëm të çështjes, kishte gjetur se kërkesa për lirimin me kusht ishte e pabazuar.
Nga shkresat e çështjes dhe dosja e të dënuarit, rezulton se i njëjti ishte shpallur fajtor për shkak të veprave penale në pesë aktgjykime.
Nga raportet e përpiluara nga Ekipi Profesionist për të dënuarin, raporti ligjor për të dënuarin vërtetohet se i dënuari lirimin normal e ka me datën 24.01.2032 dhe nga llogaritja e dënimit për të dënuarin rezulton se gjer më tani i ka vuajtur 16 vite, 9 muaj, 1 ditë, ndërsa i kanë mbetur edhe 8 vite, 2 muaj e 29 ditë.
“Nga raporti social për lirim me kusht rezulton se i dënuari ka 7 arratisje (deri në kohën e shqyrtimit të kërkesës së tij). Po ashtu, i dënuari gjatë vuajtjes së dënimit ka shkelur rregullat e Institucionit Korrektues, me gjithsej 15 shkelje disiplinore. Për të gjitha është gjetur fajtor dhe i janë shqiptuar masat disiplinore”, thuhej në aktvendim.
“Sipas ekipit profesionist të Qendrës Korrektuese, i dënuari aktualisht është duke u përpjekur për sjellje të mira dhe se procesi i risocializimit ka marrë kahe pozitive dhe se ka progres në këtë aspekt”, thuhej më tej.
Paneli për lirim me kusht gjatë shqyrtimit të kërkesës së të dënuarit, i ka vlerësuar kushtet për lirim me kushtet që i parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës, ku përveç kushteve, Paneli i ka vlerësuar edhe kriteret, të cilat janë të parapara me rregulloren mbi Organizimin dhe Funksionimin e Panelit për lirim me kusht, e cila përcakton se duhet vlerësuar: Pesha e krimit, historia e kaluar kriminale, përshkrimin e personit të dënuar për krimin, qëndrimin e personit të dënuar ndaj viktimës, sjelljen e mirë gjatë burgimit, gjendjen psikiatrike dhe psikologjike të tij, gjendjen fizike, historinë sociale, planet e të dënuarit pas lirimit, pranimi i kontrollit dhe ndihmesës nga Shërbimi Sprovues, ekzistenca e rrezikut të përgjithshëm për publikun dhe perspektiva që një person i dënuar me origjinë të huaj ka synimin që të kthehet në shtëpi.
Paneli, pas shqyrtimit të kërkesës, vlerësimit të të gjitha kushteve dhe kritereve, me rastin e vendosjes për kërkesën e të dënuarit, kishte konstatuar se nga të thënat mbi shkeljet e shumta disiplinore, i dënuari ka rënë ndesh me rregullat e Institucionit Korrektues, me ç’rast nuk është plotësuar kritieri për “sjelljet mirë gjatë burgimit”, por “pesha e krimit” si kriter i përcaktuar, ngase pesha e krimit është një tregues i nevojës për të mbrojtur shoqërinë përmes parandalimit të kryerjes së veprave të tilla apo të ngjashme penale.
Po ashtu, historia penale e të dënuarit dhe ekzistenca e rrezikut për recidivizëm, kritere të tjera të paplotësuara nga ana e të dënuarit.
Nga të gjitha këto kritere, Paneli kishte ardhur në përfundim se ende nuk ishte arritur qëllimi i ekzekutimit të sanksionit penal i paraparë sipas Kodit Penal të Republikës së kosovës dhe sipas Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, për të cilat arsye, kërkesa e të dënuarit u refuzua për periudhën kohore prej 12 muajve.
I arrestuar për të parën herë në vitin 2000 për vrasje, të një ushtari rus, Faton Hajrizi nga Komuna e Skenderajt, do të shndërrohej në një person me histori të gjatë kriminale dhe famë për shumë arratisje nga burgjet e Kosovës.
Për të fundit herë ai u arratis nga një burg i tipit të hapur në Kosovë, më 6 korrik të vitit 2024. Pak ditë më vonë u bë i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi dhe u vra deri sa ishte në arrati nga autoritetet serbe më 19 korrik.
Në kohën e arratisjes së fundit nga Kosova, Faton Hajrizi përshkruhej si një i burgosur i disiplinuar, i cili madje kishte fituar të drejtën për të shkuar në shtëpi në fundjavë.
Faton Hajrizi njihet më së shumti për vrasjen e një ushtari rus të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 29 shkurt të vitit 2000. Atë kohë ai ishte 15-vjeçar.
Siç përshkruhet në një vendim të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, vrasja kishte ndodhur në një nga sheshet e Skenderajt, pasi Hajrizi fillimisht ia kishte marrë armën ushtarit dhe më pas e kishte plagosur.
Ushtari me inicialet I.K më pas vdiq më 2 mars të atij viti nga plagët e marra.
Hajrizi ishte paraburgosur në qendra të ndryshme paraburgimi që nga fillimi i vitit 2000, ndërsa me një aktvendim të marsit të vitit 2001, atij i ishte shqiptuar një “masë edukuese” prej një deri në pesë vjet, që do të vendosej me saktësi më vonë.
Me këtë masë, ai do të dërgohej me një “Qendër Edukimi” dhe “do të ishte nën mbikëqyrje të një ekipi profesional”.
Nuk dihet se ku saktësisht ishte dërguar Hajrizi pas këtij vendimi.
Por, në disa intervista që ai i kishte dhënë muajt e fundit për mediat e Kosovës, ai pretendon se ishte dërguar në vazhdimësi në Qendra Korrektuese së bashku me të rritur dhe jo me të mitur, kategori së cilës i takonte në atë kohë.
Përveç për vrasjen e ushtarit, në aktvendimin e vitit 2001, Hajrizi u dënua edhe për një rast të tentim-vrasjes, tri raste të vjedhjeve kryesisht të pjesëve të veturave, dhe dy raste të keqpërdorimit të veturave (shfrytëzim pa leje të tyre).
Të gjitha këto vepra, sipas gjykatës, u kryen kryesisht nga fillimi i vitit 2000 deri në fillimin e vitit 2001, në Skenderaj, Drenas, Prishtinë dhe Mitrovicë e Jugut.
Vendimi i dytë gjyqësor për Faton Hajrizin u mor sërish nga Gjykata e atëhershme e Qarkut në Mitrovicë, më 24 janar të vitit 2008.
Kësaj here ai u dënua për dy vepra të grabitjes së armatosur, që sipas gjykatës, i bëri në bashkëpunim me dikë tjetër me iniciale B.B, në vitin 2006, në Skenderaj.
Në këto grabitje, ata morën para, telefona, cigare e mbushje telefoni.
Hajrizi u dënua, po ashtu, për armëmbajtje pa leje.
Atij iu shqiptua dënimi me gjashtë vjet burgim dhe iu konfiskuan armë.
Në kohën e dënimit ai kishte qenë duke qëndruar në paraburgim nga maji i vitit 2006.
Gjykata Themelore në Prishtinë i tha Radios Evropa e Lirë se Faton Hajrizi ishte dënuar edhe nga kjo gjykatë në vitin 2019, për vrasje në tentativë.
Këtë herë ai ishte dënuar me një vit burgim.
Hajrizi besohet të jetë arratisur për rreth 9 herë nga institucionet korrektuese të Kosovës, ndonëse Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) nuk e ka konfirmuar numrin e saktë. Madje, ai ka deklaruar për mediat në Kosovë që ka ikur edhe nga baza ushtarake amerikane në Kosovë, Bondsteel.
Pas arratisjes së fundit më 6 korrik, vendndodhja e Hajrizit nuk u dit për një kohë.
Sipas dyshimeve fillestare, dorasi kishte ikur, ndërsa në vendngjarje ishin gjetur dokumentet e një personi të quajtur Artan Hajrizi.
Më vonë u mësua se Artani ishte vëllai i Fatonit, i cili u paraqit nga Gjermania duke pretenduar se i vëllai ia kishte vjedhur dokumentet për t’ia përdorur për arratisje.
Si i dyshuar për vrasje, Fatoni ishte në kërkim nga autoritetet serbe për disa orë, derisa Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ai ishte vrarë derisa po ikte nga Policia.
Megjithatë, ministri serb i Punëve të Brendshme, Daçiq, tha se autoritetet serbe do të kërkojnë nga Gjermania ekstradimin e vëllait të tij, Artan Hajrizi, që sipas tij dyshohet të jetë bashkëpunëtor në këtë rast.